Njerez

Adoleshentët shqiptarë viktima të bullizimit online, Tik-Tok dhe Instagram platformat më të rrezikshme

Nga Gazeta Si- Dorina, që prej pak muajsh ka filluar gjimnazin në një qytezë të Shqipërisë, prej 1 muaji ka vendosur që të braktisë shkollën! Gjithçka filloi me një ngacmim në orën e mësimit, ku një nga djemtë e klasës u tall me shëndetin dhe format e trupit të saj.

Disa ditë më vonë një shoqe i nisi një video, e cila tregonte fotot e saj të marra pa leje në Instagram, të ndryshuara e të deformuara, me fjalë dhe epitete tepër denigruese. Kënga dhe muzika ishin po aq fyese. Video kishte marrë me qindra pëlqime dhe vijonte të komentohej nga njerëz që ajo nuk i njihte. Për herë të parë në jetën e saj, ajo e la shkollën pasi nuk mund të dilte më jashtë shtëpisë pasi ishte turpëruar. Nga frika nuk ju tregoi as prindërve, por nëna e saj e kishte kuptuar që kishte diçka që nuk shkonte ndaj pas disa ditësh u ul të fliste me të.

Të dyja vendosën të shkonin në polici për të kërkuar ndihmë. Pas rreth një ore bisedë me një punonjëse të policisë, ato kuptuan që as policia nuk mund t’i ndihmonte, përtej marrjes së denoncimit.

Pas kësaj, nëna e Dorinës raportoi tek iSIGURT.al duke kërkuar mbylljen e faqes. Disa ditë më vonë video u bllokua dhe u hoq nga interneti. Sidoqoftë, Dorina vazhdon të qëndrojë në shtëpi nga frika se po të kthehet në shkollë të gjithë do të vazhdojnë të tallen me të.

Bullizimi online në 2023, krahasuar me vitet para-ardhëse, është ngjarja online më e raportuar nga fëmijët në Shqipëri, ku për herë të parë, janë vajzat që raportojnë dyfishin e incidenceve online krahasuar me djemtë.

Këto të dhëna kanë dalë në Raportin e përvitshëm Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Fëmijëve.

Me mijëra fëmijë dhe adoleshentë çdo ditë bëhen viktima të dhunës, bullizmit, abuzimit dhe krimeve në hapësirën kibernetike në Shqipëri. Këshilli i Europës raporton se thuajse 20 për qind e fëmijëve në arsimin publik ishin viktima të bullizimit 2-3 herë në ditë. Vetëm një pjesë e vogël e këtyre incidenteve raportohet tek autoritetet apo edhe tek Linja Kombëtare për Internet të Sigurt, pasi shumica e viktimave ndjehen të frikësuar, të turpëruar apo nuk kanë besim për të raportuar.

“Dhuna ndaj fëmijëve ka prekur çdo qelizë të jetës së tyre në jetën e përditshme dhe atë online, duke përbërë një rrezik serioz për mirërritjen dhe mirëqenien e tyre”, thotë Altin Hazizaj, drejtor i CRCA.

Hazizaj thotë se përkundrejt këtij realiteti, sistemi i mbrojtjes së fëmijëve, arsimi, organet e zbatimit të ligjit dhe ato të sigurisë kibernetike janë të papërgatitura për t’u përballur me gamën e pafund të incidenteve online me të cilat fëmijët dhe adoleshentët përballen.

“Arkitektura aktuale ligjore dhe institucionale, me legjislacion të mangët për mbrojtjen e fëmijëve nga incidentet dhe krimet në hapësirën dixhitale dhe me dy autoritete tepër të pafuqishme për të ndërmarrë masa e veprime për mbrojtjen e fëmijëve (Agjencia për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Fëmijës - AMSHDF dhe Autoriteti për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike - AKCESK), ka lejuar që hapësira kibernetike e fëmijëve të kthehet në një mjedis të pasigurt që nxit bullizmin, dhunën, kërcënimet apo shfrytëzimin e fëmijëve online, përfshi edhe dhunën e shfrytëzimin e tyre për qëllime seksuale”, thuhet në një deklaratë zyrtare të CRCA.

Pranë platformës iSIGURT.al janë bërë 244 raportime të incidenteve të ndeshura online nga fëmijët dhe prindër, mësues, kujdestarë etj. gjatë vitit 2023. Krahasuar me vitin e kaluar vihet re një rritje me 160 për qind të incidenteve të raportuara. Nëse i analizojmë rastet sipas ndarjes mujore, shohim se çdo muaj raportohen të paktën 20 incidente online nga fëmijët, ose një person afër tyre.

Ndërkohë, rreth 62 për qind e të gjitha incidenteve të raportuara në iSIGURT.al janë bërë nga vajzat, dhe rreth 34 për qind nga djemtë. Në katër për qind të rasteve raportuesi ka preferuar të mos e identifikojë gjininë e tij/saj. Kjo e dhënë, krahasuar me vitet e kaluara, përbën gjithashtu një risi, pasi për herë të parë vajzat po raportojnë thuajse 2 herë më shumë se djemtë incidente gjatë navigimit të tyre online.

Grup-mosha e raportuesve vijon të udhëhiqet nga adoleshentët e moshës 15-18 vjeç, të ndjekur nga ata të grup-moshave 18-30 vjeç dhe 11-14 vjeç.

Ajo që është ndryshe këtë vit është se për herë të parë këtë periudhë kohore, ka raportime dhe për fëmijë nën moshën 11 vjeç, në rreth 4 raste, ndërkohë që në vitet e mëparshme raportimi për këto grup-mosha ka qenë gjithnjë zero.

Tik-tok dhe Instagram janë dy platformat të cilat fëmijët i kanë raportuar më shpesh për incidente online, me 47 dhe 27 për qind të rasteve, krahasuar me platformat e tjera.

Për herë të parë, që prej krijimit të Platformës Kombëtare iSIGURT.al, bullizmi online është incidenti më i raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët, në rreth 35 për qind të rasteve, të ndjekur në 21 për qind të rasteve nga gjuha e urrejtjes dhe 15 për qind shantazhe dhe kërcënime online. Dhuna, ngacmimet dhe shfrytëzimi seksual online ka kaluar në vend të katërt të incidenteve të raportuara, ndërkohë që deri në vitin e kaluar përbënte incidentin kryesor të raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët.

Të gjitha këto të dhëna flasin për realitete të reja jetësore të fëmijëve dhe të adoleshentëve në Shqipëri.

Fëmijët nëpërmjet raportimit, tregojnë se realiteti i tyre jo vetëm online, por edhe në jetën e përditshme, në familje, në shkollë dhe në komunitet, përballet me sfidat e bullizmit, gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe dhunës seksuale online.

Ndaj në këtë kuadër, Hazizaj rekomandon që autoritetet në vend të ndërmarrin masa sa më të shpejta, së bashku me shoqërinë civile dhe ekspertët në këtë fushë, për të ndërtuar një arkitekturë tërësisht të re ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në hapësirën kibernetike.

“Kjo duhet të garantojë që interneti është një hapësirë e sigurt që në momentin fillestar, ndërsa ndërgjegjësimi i fëmijëve dhe i prindërve në shkollë, në komunitet dhe në hapësirën tonë të përbashkët kibernetike është detyrim dhe përgjegjësi për këdo”, thotë Hazizaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë