Dosje

Vetëvrasja e spanjollit në Divjakë, problemet familjare pista kryesore e hetimit

Gazeta Si - Problemet familjare dyshohet se është një nga pistat e hetimit të policisë për vetëvrasjen e dyshuar të një spanjolli në fshatin Karavasta në Divjakës një ditë më parë.

Të martën pasdite, pasi mbyllën punën, 47-vjeçari Francisco Cervilla dhe shoku i tij, Oscar Valesco, shkuan hotelin ku qëndronin. Në orët e mbrëmjes, pasi konsumuan një kafe, të dy u ngjitën në dhomën e tyre.

Cervilla kishte hyrë për t’u larë në momentin që po bënte dush dhe dyshohet se është vetëvrarë, duke prerë me thikë damarët e duarve. Ishte shoku i tij, 41-vjeçar, ai që e gjeti të pajetë viktimën dhe njoftoi policinë në mbrëmje.

Velasco u shoqërua në polici për ngjarjen, ku u mor në pyetje. Në dëshminë e tij, 41-vjeçari tregoi se viktima kishte probleme familjare, pasi ishte divorcuar dhe kjo mund ta ketë shtyrë të vetëvritet në Karavasta.

Serrat ku punonin dy shtetasit spanjollë

Nga burime paraprake, mësohet se kohët e fundit, viktima kishte shfaqur shenja depresioni për shkak të problemeve me familjen që kishte në Spanjë.

Dy spanjollët ishin kontraktuar nga kompania që po ndërton serrën me teknologjinë spanjolle. Ata ishin miq me njëri-tjetrin dhe kishin ardhur nga vendlindja e tyre në këtë zonë për të punuar.

Ata punonin në serat e Karavastasë prej 10 hektarësh, njëri si saldator dhe tjetri si elektricist në montimin e tubave.

Banorët i njihnin si njerëz të qetë dhe të mirë, që shkonin madje dhe me vendasit. “Shumë s’komunikonim me ta, sepse s’dinim gjuhën, por dukeshin djem të mirë. Shumë të qetë, punëtorë. Tërë kohës ishin në humor”, - thotë një prej banorëve.

Sipas tij, serat moderne që po ngriheshin, janë për prodhimin e luleshtrydheve, specave dhe domateve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë