Drejtësia

Prokuroria nis hetimet për vdekjen e 47-vjeçarit spanjoll në Divjakë

Gazeta Si - Prokuroria e Lushnjës ka nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e 21 marsit, ku shtetasi spanjoll Francisco Javier Carraso Cervilla u gjet i vdekur brenda tualetit të hotelit në Divjakë me shenja të vetëvrasjes.

Ka qenë shoku i dhomës kolegu i tij, Osvaldo Velasco 41 vjeç, ai që e ka gjetur në banjën e dhomës që ndanin të dy. Ky i fundit ka kërkuar një ambulancë, por 47-vjeçari ndërroi jetë për shkak të plagëve që mendohet se ia ka shkaktuar vetes me thikë.

Organi i akuzës, ka regjistruar procedimin penal nr. 146 për veprën penale ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’. Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm për dinamikën dhe shkaqet e ngjarjes.

Ky procedim është në fazën fillestare të tij dhe nisur nga natyra e çështjes janë kryer veprimet e plota hetimore që konsistojnë në këqyrjen e vendit të ngjarjes, sekuestrimin e provave materiale dhe këqyrjen e tyre, janë marrë vendimet e nevojshme të ekspertimit, janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen. 

Të gjitha të dhënat e përftuara deri në këtë fazë po analizohen dhe kryqëzohen me njëra-tjetrën, me qëllim përcaktimin e shkakut të ardhjes së pasojës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë