Gazeta Si – Ka marrë një tjetër rrjedhë ngjarja në Sukth të Durrësit, ku një 41-vjeçare humbi jetën 4 ditë më parë pasi konsumoi fostoksinë.
Këtë të shtunë, policia ka arrestuar Xhemal Lokën, bashkëshorti i Bedrie Lokës, me dyshimin se e ka çuar drejt vetëvrasjes nënën e 4 fëmijëve.
Sipas një njoftimi për mediat të policisë, nga hetimet e thelluara, del 45-vjeçari ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij, shkak që mund të ketë ndikuar që 41-vjeçarja t’i ketë dhënë fund jetës.
Policia thekson se 45-vjeçari kur ishte kthyer nga Greqia, e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten me mjet prerës thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve.
Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së bashkëshortit, policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.
“Për këtë rast, Bedrie Loka nuk ka bërë kallëzim në polici. Gjithashtu, specialistët për hetimin e krimeve kanë sekuestruar celularin e 45 vjeçarit, i cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me policinë. Ky celular, bashkë me celularin e së ndjerës janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes”, - njofton policia
Më herët, familjarët e 41-vjeçares së vetëvrarë në Sukth të Durrësit për shkak të disa postimeve denigruese në TikTok, kishin hedhur dyshime pikërisht ndaj Xhemal Lokës.
Vëllezërit e Bedrie Lokës, pretendojnë se ai ishte i dhunshëm dhe shumë i ashpër me të dhe mund ta ketë çuar drejt vetëvrasjes.
Bashkëshorti i 41 vjeçares ishte emigrant në Greqi dhe ishte kthyer në shtëpi në datë 27 dhjetor. Familja kishte festuar ndërrimin e viteve dhe në datë 2, gruaja kishte kryer vetëvrasje duke pire fotoksinë.
Në momentin e ngjarjes, në banesë gruaja ishte me 2 djemtë dhe bashkëshortin, të cilët thanë para policisë se nuk e panë gruan të pinte helm.
Nëna e 4 fëmijëve u dërgua me shenja jete në spital dhe pas 24 orësh ndërroi jetë.
Në momentin e parë as fëmijët dhe as bashkëshorti nuk u shprehën në lidhje me shqetësimet që mund të kishte pasur 41-vjeçarja.
Kur janë ripyetur, kanë treguar mbi profilet false, që përdornin fotot e saj me gjuhë denigruese.
Policia ka referuar çështjen në Prokurorinë e Durrësit, e cila po heton rastin, duke i sekuestruar telefonin edhe bashkëshortit.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar dhe celulari i 41-vjeçares dhe po punohet me deklarimet e te afërmve të saj.
Dyshimet e para ishin në fakt se bullizimi që i është bërë 41-vjeçares në TikTok ka shkaktuar konflikte me bashkëshortin e saj, gjë që ka ndikuar në vendimin e të ndjerës për t’i dhënë fund jetës.
Sipas burimeve paraprake, janë marrë në pyetje personat që kanë pasur kontaktet e fundit me të ndjerën.
Janë pyetur disa kolegë pune, si dhe ai që i ka dhënë foton vajzës së tezes, pasi dyshohet se sipas familjarëve të viktimës, ajo e ka keqpërdorur.
Ndonëse nëna e 4 fëmijëve kishte bërë denoncimin më 2 dhjetor 2022 profili fals nuk ishte mbyllur.
Në një njoftim të policisë ditën e premte, në dhjetor të vitit 2022 Bedrie Loka pati denoncuar në polici se në rrjetet sociale ishte hapur një profil i rremë me emrin e saj. Në lidhje me këtë kallëzim policia deklaroi se e ka referuar çështjen në prokurori.
Ngjarja ka ngjallur reagime ndërsa në Tiranë sot është thirrur një protestë në sheshin "Nënë Tereza" në orën 11:30. Bedrie Loka humbi jetën në 2 janar, ku sipas policisë, 41-vjeçarja piu fotoksinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.