Ngjarje

Flet vëllai i 41-vjeçares që u vetëvra: Motrën e vrau bashkëshorti, jo Tik Tok-u. Kishte shenja dhune

Gazeta Si - Avdi Bushi, një nga vëllezërit e 41-vjeçares në Durrës, cila në gjendje të rënduar psikologjike helmoi veten me fostoksinë dhe ka ndërruar jetë në spital, akuzon bashkëshortin e të motrës për ngjarjen e rëndë.

Ai deklaron se ngjarja ka ndodhur për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike që Xhemal Loka ka ushtruar ndaj motrës së tij.

"Më mori nusja në telefon dhe ajo më tregoi. Mbesat dhe nipat, nuk i lë. Fëmijët i kam të rritur dhe do i mbaj unë. Do i lutem shtetit, që të zbardhi çështjen. Spitali thotë se nuk është rrahur, por ajo ka shkuar me plagë në kurriz. Ajo ka pasur shenja në krahun e majtë", - zbuloi Avdi Bushi.

Sipas tij, “në krah të majtë ka pasur shenjë. Doktori e ka parë që është e dhunuar. Në lajme del që nuk është e dhunuar. Kërkojmë sërish ekspertizë”.

Në një prononcim për mediat, vëllai i 41-vjeçares ka deklaruar se e motra e martuar prej 23 vitesh nuk ka parë asnjë ditë të bardhë me bashkëshortin e saj.

Mes dhimbjes së fortë dhe lotëve që mezi i mban, ai i ka bërë thirrje shtetit shqiptar të zbardhë çështjen, teksa ka hedhur poshtë dyshimet se 41-vjeçarja i ka dhënë fund jetës si pasojë e bullizimit në TikTok.

“Bedrie Bushi është motra ime, do t’i lutem mediave shqiptare, kanaleve televizive të mos ja nxini fytyrën se e mbyti TikTok-u, se atë nuk e vriste njeriu, jo ta vriste TikTok-u. Motrën ma vrau burri i saj. Do t’i lutem shtetit shqiptar që të zbardhë çështjen. Motra ime 23 vjet martesë, 23 vjet të bardha nuk i ka parë në këtë derë. Burri i vet e mori dhe derisa e çoi tek vorri, vetëm nëpër burgje…”, është shprehur vëllai i Bedrie Lokës, Avdi Bushi.

Vëllai i 41-vjeçares tha se shteti duhet të bëjë drejtësi, në të kundërt do të duhet ta bëjë ai.

Pista ku ishin përqëndruar hetimet fillimisht kishte të bënte me dyshimet se 41-vjeçarja i kishte dhënë fund jetës si pasojë e bullizimeve ndaj saj në rrjetin social TikTok.

Mirëpo, hetimet kanë marrë një tjetër rrjedhë, pasi këtë të shtunë policia ka arrestuar bashkëshortin e saj, Xhemal Lokën.

Policia ka njoftuar se nga hetimet e thelluara ka rezultuar se 45-vjeçari ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme, bashkëshorten e tij, si dhe e kishte kërcënuar për ta vrarë me thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve.

Në banesë, gjatë kontrollit policia i gjeti një armë zjarri dhe municione luftarake.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë