Politike

Tragjedia në Fllakë, Nikolla: Do të ashpërsojmë menjëherë Kodin Penal për bullizimin në rrjetet sociale dhe krimin kibernetik

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka reaguar mbi vetëvrasjen e nënës së katër fëmijëve në Sukth të Durrësit pas bullizimit në rrjetin social ‘Tik-Tok’.

Në reagimin e saj, Nikolla shprehet se do të ketë ashpërsim të legjislacionit të Kodit Penal për mediat online, krimet kibernetike dhe fyerjet në rrjetet sociale.

Reagimi i plotë i Nikollës:

“Një nënë e katër fëmijëve, u vetësakrifikua për shkak të denigrimit në mediat sociale. Fëmijët dhe bashkëshorti  humbën njeriun e tyre më të dashur, që i kishte thirrur për t’u gëzuar bashkarisht për festat.

U bëj thirrje organeve të drejtësisë t’u japin shkaktarëve dënimin maksimal, të merituar.

Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si një apel i fuqishëm për shoqërinë dhe institucionet.

Kuvendi do të rishqyrtojë menjëherë, me përparësi ashpërsimin e legjislacionit për mediat online dhe Kodin Penal, sidomos dispozitat që lidhen me krimin kibernetik, sulmet, fyerjet dhe agresivitetin në rrjetet sociale.

Agjencitë ligjzbatuese duhet të reagojnë më shpejt, me më shumë forcë dhe efiçience për parandalimin e rasteve të tilla, të cilat ndodhin para syve të të gjithë shoqërisë dhe shkaktojnë ngjarje tragjike e trauma familjare.

Ngushëllime fëmijëve, bashkëshortit dhe familjarëve të të ndjerës! U prehtë në paqe!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë