Politike

Vetëvendosje gati për zgjedhje të parakohshme!

Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar sot mundësinë e shkuarjes së zgjedhjeve të parakohshme. Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje me LDK-në mund të ketë zgjedhje të reja.

Nagavaci, e cila ëshhtë po ashtu nënkryetarja e Kuvendit ka thënë se nëse nuk arrihet koalicioni, atëherë vullneti i qytetarëve duhet të kthehet sërish tek ata.

“Nëse për arsye që nuk varen prej nesh nuk arrihet implementimi i vullnetit të qytetarëve duhet të kthehemi te qytetarët”, tha ajo, duke rikujtuar zgjedhjet e 6 tetorit.

Deklarata e saj vjen  pasi përmes një letre VV-ja refuzoi ofertën e LDK-së për largimin e  kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. Ndërkohë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se ky është një kusht i patjetërsueshëm për qeverinë e re.

Lëvizja Vetëvendosje i ka nisur një letër publike kreut të LDK-së Isa Mustafës, ku i kërkon që të vazhdojnë bisedimet për koalicionin qeveritar, pa përfshirë në këto negociata postin e kryetarit të Kuvendit.

Kurti shkruan se VV-ja u ka ofruar më shumë se gjysmën e qeverisë, duke ofruar një ndarje 6+5. Kreu i VV-së thekson po ashtu se ka rënë dakort me LDK-në për t’i ofruar edhe për kandidatin për postin e presidentit, edhe pse sipas Kurtit kjo çështje nuk është fare urgjente.

Letra e Kurtit vjen ndërkohë që Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës më 20 janar, në orën 11:00.

Mustafa ka thënë se anëtarët e kësaj partie janë duke e shqyrtuar letrën e dërguar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e kanë konsideruar si dicka jozyrtare.

Ai ka thënë se LDK-ja është e interesuar që ta përfundojë negociatat më LDK-në dhe të formojë koalicionin qeverisës.

“Letrën do ta shohim, por nuk e konsideroj si letër zyrtare dhe përgjigje zyrtare. Ne do të mundohemi të punojmë në mënyrë maksimale për marrëveshjen. Dhe për këtë kërkoj që edhe Lëvizja Vetëvendosje të japë kontributin e saj”, tha Mustafa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë