Ka përfunduar pa marrëveshje takimi ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ndonëse të dy partitë politike që po negociojnë rreth formimit të Qeverisë së ardhshme të Kosovës, mediat raportuan se sot mund të arrihej marrëveshj e koalicionit. Por pas takimit, Kurti dhe Mustafa thanë se u nevojitet edhe pak kohë që të harmonizonin disa çështje për të cilat nuk kanë arritur në marrëveshje.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha pas takimit se kishin vendosur për disa cështje, por se kanë ende dallime.
"Nuk jemi marrë vesh, mirëpo avancim në diskutimet që i kemi bërë ka. Atëherë kur do ta kemi marrëveshjen e plotë mund ta shpalosim atë gjerë e gjatë. Këtu përfundon takimi i sotëm e unë jam në kontakt të drejtpërdrejt me kryetarin e LDK-së që të përcaktojmë takimin e radhës", tha Kurti.
Ndërkohë lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka tha se të hënën nuk është arritur marrëveshja për një koalicion, por se negociatat do të vazhdojnë.
“Patëm një bisedë të gjatë sepse pa biseda të tilla është e vështirë të arrihet një bashkëpunim i qëndrueshme katërvjeçar. Ne kemi pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës por kemi ende punë”, tha Mustafa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.