Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë ka mbështetur vendimin e presidentit Thaçi për të mos marrë pjesë në takimin e minishengenit ballkanik në Tiranë, për aq kohë sa është Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet. Kryetari i Bordit të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Enis Sulstarova ka kundërshtuar praninë e Vuçiç në këtë takim të organizuar nga pala shqiptare.
Qendra e Vetëvendosjes u shpreh se Vuçiç këtë herë do të duket si një bamirës në sytë e shqiptarëve.
“Është një shfrytëzim i situatës së vështirë të shqiptarëve pas tërmetit”, shprehet Vetëvendosje.
Vuçiç do të qëndrojë në Shqipëri në datat 20 dhe 21 dhjetor 2019 për të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë.
Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është shprehur se ideja për “Mini-Shengenin” ballkanik është e tij.
“Kosovarët nuk e duan këtë. Albin Kurti i cili duket se do të jetë lideri i tyre i ardhshëm tingëllon se dëshiron që të bëhet lider i Shqipërisë së Madhe. Kosova veten e sheh si shtet, por ne nuk e shohim ashtu. Por ne duhet të punojmë bashkë”, është shprehur më herët ai.
Kosova e ka kundërshtuar në mënyrë kategorike përfshirjen në këtë nismë, ku synohet vendosja e një bashkëpunimi më intensiv ekonomik përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.
Takimi i fundit është mbajtur më 10 nëntor në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë iniciativë Kosova ka refuzuar të marrë pjesë, duke e cilësuar si një “devijim” të rrugës euroatlantike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.