Ngjarje

Versioni zyrtar nga autopsia: Lear Kurti s’ka shenja dhune në trup, në stomak iu gjet një qese me lëndë të dyshuar drogë

Gazeta Si - Autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka konfirmuar versionin e pohuar për Gazetasi.al, e cila mësoi më herët ekskluzivisht nga një burim i Spitalit të Traumës, se 32-vjeçari Lear Kurti vdiq pasi gëlltiti një qese me lëndë të dyshuar narkotike.

I riu, i cili ishte shoqëruar edhe më përpara për drogë, nuk i kishte ndaluar thirrjes së patrullës së policisë për një verifikim rutinor.

Burimet thanë për Gazetasi.al se gjatë ndjekjes policore, i riu ka gëlltitur qesen me lëndën e dyshuar kokainë, e cila është çarë, duke i sjellë shtangësinë e menjëhershme dhe për pasojë vdekjen Kurtit.

Me të njëjtin qëndrim, kanë dalë këtë pasdite edhe Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Organi i akuzës së kryeqytetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me vdekjen e 32-vjeçarit pas shoqërimit nga punonjës policie të Komisariatit Nr.3 Tiranë gjatë një kontrolli në rrugën “Riza Çuka”.

Sipas hetimeve të përbashkëta, në trupin e viktimës nuk ka pasur dëmtime apo shenja dhune, ndërsa në kyçe janë konstatuar shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.

Autopsia ka konfirmuar se në stomakun e viktimës, është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5x5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike.

“Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të shtetasit Lear Kurtit 32 vjeç”, thuhet në njoftimin e përbashkët për shtyp nga Prokuroria e Tiranës dhe AMP.

Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar gjatë ndjekjes së policisë, e cila për gati 4 minuta u vu në ndjekje të tij, pasi ai nuk iu bind patrullës.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi në mëngjes se i riu u pa duke ecur në këmbë pa shoqërinë e dikujt tjetër në rrugën “Riza Çuka”.

Njëri nga oficerët e komisariatit numër tre, që njihet si efektiv që sapo ka nisur detyrën në polici, i kërkoi të paraqesë dokumentet.

Kurti fillimisht ka ndaluar, por më pas ka vrapuar nga rruga “Riza Cuka” deri në “Don Bosko”.

Pranë një marketi, policia deklaron se ai u ul në një stol dhe disa të rinj panë se si efektivët i hodhën prangat.

Pasi u shoqërua në polici, ai është ndjerë keq edhe ka ndërruar jetë, gjë e cila është konstatuar në Spitalin e Traumës.

Policia këmbëngul se nuk ka kryer asnjë veprim të jashtëligjshëm në shoqërimin e Kurtit, edhe pse në duart e tij ka shenja, të cilat AMP thotë se i janë shkaktuar në momentin e prangosjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë