Politike

Rasti i Lear Kurtit, Rama: Policia u soll në mënyrën më korrekte, këta duan të nxjerrin njerëzit në rrugë si me Rashën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për rastin e të riut Lear Kurti, i cili ndërroi jetë pasi u shoqërua në komisariat.

Nga Shirgjani i Elbasanit, ku po zhvillon një takim me fermerë dhe blegtorë të zonës, Rama u shpreh se policia është sjellë në mënyrën më korrekte dhe ka pezulluar tre efektivët e patrullës ndërkohë që bëhen hetimet.

Rama shtoi se nuk ka pasur asnjë arsye të jashtme që mund të ketë shkaktuar vdekjen e 32-vjeçarit Kurti. Ndërsa theksoi se para se të ketë reagime duhet pritur ekspertiza mjeko-ligjore, ai u shpreh po ashtu se “ata” po përpiqen ta lidhin rastin me Klodian Rashën dhe të nxjerrin edhe njerëzit në rrugë.

“Kanë që dje që akuzojnë policinë se ka vrarë një djalë të ri. Ndërkohë që në mënyrën më korrekte, serioze, dinjitoze,policia ka pezulluar personat që të mos jenë të përfshirë në asnjë lloj procesi…Është mjekësia ligjore që bën punën e vetë. Nuk ka asnjë arsye nga jashtë që kjo të ketë qenë gjë e bërë me të keq.

Çfarë qeniesh janë këta që u dalin njerëzve si gogolë në ekrane? Thonë e vrau policia sepse duan ta lidhin në psikologjinë e njerëzve me atë tmerrin e madh që ishte, të të ndjerit Klodian Rasha dhe duan të nxjerrin njerëzit rrugëve,” tha kryeministri Rama nga Elbasani.

Policia ka pezulluar nga detyra tre efektivet që shoqëruan 32-vjeçarin Lear Kurti në komisariat mbrëmjen e së mërkurës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë