Gazeta Si – Autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka konfirmuar versionin e pohuar për Gazetasi.al, e cila mësoi më herët ekskluzivisht nga një burim i Spitalit të Traumës, se 32-vjeçari Lear Kurti vdiq pasi gëlltiti një qese me lëndë të dyshuar narkotike.
I riu, i cili ishte shoqëruar edhe më përpara për drogë, nuk i kishte ndaluar thirrjes së patrullës së policisë për një verifikim rutinor.
Burimet thanë për Gazetasi.al se gjatë ndjekjes policore, i riu ka gëlltitur qesen me lëndën e dyshuar kokainë, e cila është çarë, duke i sjellë shtangësinë e menjëhershme dhe për pasojë vdekjen Kurtit.
Me të njëjtin qëndrim, kanë dalë këtë pasdite edhe Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Organi i akuzës së kryeqytetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me vdekjen e 32-vjeçarit pas shoqërimit nga punonjës policie të Komisariatit Nr.3 Tiranë gjatë një kontrolli në rrugën “Riza Çuka”.
Sipas hetimeve të përbashkëta, në trupin e viktimës nuk ka pasur dëmtime apo shenja dhune, ndërsa në kyçe janë konstatuar shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.
Autopsia ka konfirmuar se në stomakun e viktimës, është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike.
“Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të shtetasit Lear Kurtit 32 vjeç”, thuhet në njoftimin e përbashkët për shtyp nga Prokuroria e Tiranës dhe AMP.
Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar gjatë ndjekjes së policisë, e cila për gati 4 minuta u vu në ndjekje të tij, pasi ai nuk iu bind patrullës.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi në mëngjes se i riu u pa duke ecur në këmbë pa shoqërinë e dikujt tjetër në rrugën “Riza Çuka”.
Njëri nga oficerët e komisariatit numër tre, që njihet si efektiv që sapo ka nisur detyrën në polici, i kërkoi të paraqesë dokumentet.
Kurti fillimisht ka ndaluar, por më pas ka vrapuar nga rruga “Riza Cuka” deri në “Don Bosko”.
Pranë një marketi, policia deklaron se ai u ul në një stol dhe disa të rinj panë se si efektivët i hodhën prangat.
Pasi u shoqërua në polici, ai është ndjerë keq edhe ka ndërruar jetë, gjë e cila është konstatuar në Spitalin e Traumës.
Policia këmbëngul se nuk ka kryer asnjë veprim të jashtëligjshëm në shoqërimin e Kurtit, edhe pse në duart e tij ka shenja, të cilat AMP thotë se i janë shkaktuar në momentin e prangosjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.