Motosport

Vershtapen sfidon hapur Hemiltonin: Në presion prej tij? S’po më zë gjumi natën!

Një betejë është lënë pas, por një tjetër është te dera. Dueli Vershtapen-Hemilton do të ketë një kapitull të ri në Soçi, ku gjithmonë ka triumfuar Mercedesi. Megjithatë, piloti holandez është i karikuar dhe në konferencë shtypi ka sfiduar me thumba dhe batuta të gjitha tentativat e britanikut për ta vënë në presion.

“Ljuis ka thënë se jam nën presion? Eh po, ka të drejtë, jam aq i tensinuar sa nuk po më zë gjumi natën, është vërtet e tmerrshme të luftosh për titull dhe të fitosh çdo garë”, - është përgjigjur me humor Vershtapen. Pastaj me seriozitet ka thënë: “Kush më njeh e di, unë jam gjithmonë i qetë, nuk kam qenë kurrë më mirë. Është një ndjenjë fantastike të kesh një makinë, me të cilën mund të fitosh kudo dhe gjithmonë.

Incidenti ne Monca mes Vershtapenit dhe Hemiltonit. Gazeta Si, 24 shtator 2021

Komentet e tij tregojnë se nuk më njeh, por nuk ka problem, as unë nuk e njoh mirë. Kemi të dy shumë presion, por sigurisht që kjo nuk e ndryshon mënyrën time të drejtimit të makinës, sjellja imë në pistë do të jetë gjithmonë e njëjtë”.

Mes shigjetash me më shumë apo më pak “helm”, holandezi është kthyer edhe tek incidenti në Itali, ku nuk i dha ndihmë kolegut. “Kur dola nga makina ime, edhe ai po përpiqej të dilte. E pashë, nuk kishte probleme. Përkundrazi, ishte aq mirë, sa që pak orë më pas mori avionin dhe shkoi në një mbrëmje gala”.

Në Soçi Maks Vershtapen duhet t’i bëjë llogaritë me penalizimin për atë që ndodhi në Monca. “U surprizova nga dënimi, por ata kështu kanë vendosur dhe duhet ta pranoj, nuk është fundi i botës. Unë mendoj ndryshe, nuk duhet të jem dakord patjetër, por duhet të pranoj vendimin dhe ta lë atë pas krahëve. Do të jetë një fundjavë e bukur.

E dimë që ata janë të fortë aty, por edhe ne vitin e kaluar nuk ishim keq në këtë pistë. Këtë vit jemi më kompetitivë. Duket se do të bjerë shi dhe besoj se do të jetë një garë e bukur. Në të kaluarën duhet të shpresoja për kohë të keqe që të kisha ndodnjë shans, tani jo më”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë