Motosport

Vershtapen kampion në Katar nëse… Të gjitha kombinimet, titulli mund të vijë dhe para garës!

Gazeta Si – Është shpallur tashmë skuadra kampione e Botërorit 2023, Red Bull-i. Mungon titulli për pilotët, që Maks Vershtapen mund ta fitojë që në takimin e radhës në Losail. Kjo garë ka edhe formatin Sprint dhe holandezi mund ta fitojë titullin edhe një ditë para garës, nëse merr 3 pikë.

Kampioni në fuqi, që në Japoni u rikthye dominues, aktualisht ka 400 pikë, 177 më shumë se Serxhio Perez, i cili mban vendin e dytë me 223 pikë dhe është i vetmi, që sipas arritmetikës në teori mund ta arrijë dhe kalojë holandezin. Gjithë pilotët e tjerë janë jashtë llogarive.

Me 6 gara të mbetura, 3 prej tyre janë në formatin Sprint, që japin 8 pikë për fituesin e mini garës të së shtunës. Perez, nëse fiton gjithçka që ka mbetur, pra 3 Sprint dhe 6 garat, duke përfshirë edhe pikën e xhiros më të shpejtë, mund të shkojë maksimumi 403 pikë.

Me Vershtapen në kuotën e 400 pikëve, llogaritë bëhen lehtë: në Katar ai mund të shpallet kampion bote që të shtunën, nëse renditet mes 6 të parëve të garës Sprint, pavarësisht pozicionit të Perez.

Do të ishte një tjetër rekord, sepse nuk ka ndodhur më parë që kampioni të certifikohet në një garë Sprint dhe jo në garën tradicionale të së dielës. Nëse nuk ia del në Sprint, Vershtapen mund ta fitojë titullin në Çmimin e Madh një ditë më pas.

Ja të gjitha kombinimet që e shpallin kampion bote holandezin në Katar:

  • Nëse Vershtapen fiton të paktën 3 pikë në Sprint.
  • Nëse Vershtapen nuk merr pikë në Sprint, por Perez nuk del në 3-shen e parë.
  • Nëse Vershtapen fiton 3 pikë në garën e së dielës.
  • Nëse Vershtapen nuk merr pikë në garë, por Perez mbetet prapa në klasifikimin e pilotëve 146 pikë, ato të disponueshmet në 5 garat e mbetura pas Katarit.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë