Motosport

Vershtapen kalon Laudën dhe Klark, një tjetër hap në histori

Gazeta Si - Nuk ishte një konfirmim si shumë të tjerët për Maks Vershtapen ai në Kanada. Kampioni në fuqi, që në atë cirkuit nuk kishte fituar më parë, regjistroi fitoren numër 26 në karrierë.

Me atë fitore holandezi ka kaluar në klasifikim dy legjenda të Formulës 1, si Niki Lauda dhe Xhim Klark. Të dy i kishte barazuar me fitoren në Baku.

Tani synimi i radhës i Vershtapen është të kalojë Xheki Stjuart (27 fitore), një tjetër skocez si Klark. Dhe pastaj do të jetë radha e Najxhëll Mansell (31 fitore) dhe Fernando Alonso (32 fitore).

Nga 8 kampionët që janë para tij, 3 vazhdojnë të garojnë ende. Ata janë Alonso, Fetel me 53 fitore dhe Hemilton, rekordmeni me 103 fitore.

Objektivi parësor për Vershtapen është që të kalojë së pari Alonson që këtë sezon. Pastaj steka ngrihet dhe në shënjestër do të jenë Airton Sena me 41 fitore dhe Alan Prost me 51 fitore. Pastaj do të duhet kohë për të kaluar edhe Fetel dhe Hemilton, mes të cilëve është edhe Mikael Shumaker me 91 suksese.

Maks Vershtapen, kampioni në fuqi i Formula 1. Gazeta Si, 20 qershor 2022

Duhet thënë se çdo epokë ka kampionin e saj. Në kohën e Laudës Botërori kishte maksimumi 15 gara, kurse sot janë më shumë se 20. Janë gati dyfishi i atyre që ishin në kalendar në kohën e Klark në mes të viteve ’60.

Është edhe koha e argjentinasit Huan Manuel Fangio. Vershtapen e barazoi atë me 24 fitore një muaj më parë në Barcelonë, por duhet theksuar se në vitet ’50 rrallë garat ishin më shumë se 10 gjatë një Botërori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë