Motosport

Vershtapen i përgjigjet Hemiltonit, i pari në Çmimin e Madh të Imolas

Maks Vershtapen ka dalë i pari në Çmimin e Madh të Imolas, duke lënë pas Ljuis Hemiltonin, i cili arriti të rikuperonte një gabim të rëndë, që mund ta kishte lënë jashtë garës në xhiron e 31-të. Holandezi ka treguar se ky mund të jetë viti i shenjtërimit për të.

Falë një incidenti mes Xhorxh Rasëll dhe Valteri Botas, që solli pezullimin e garës, kampioni i botës arriti deri në vend të dytë. Po ashtu, falë xhiros më të shpejtë, ai mbajti kryesimin e Botërorit. Në vend të tretë ka dalë MekLareni i Lando Norris, vendi i katërt për Ferrarin e Sharl Leklerk dhe i pesti për Karlos Sainz. Kanë marrë pikë edhe Riçiardo, Stroll, Gasli, Raikonen dhe Okon.

Rendtija e pilotëve pas garës së Imolas. Gazeta Si, 18 prill 2021

Vershtapen i është përgjigjur në mënyrën më të mirë Hemiltonit. Ai kishte thënë para garës se makina është e shpejtë dhe se gjithçka do të shkonte mirë. Dhe kështu ndodhi. Në startin e garës me pistë të lagur për shkak të shiut, holandezi u fut mes Mercedesit të Hemiltonit dhe Red Bull-it të shokut të skuadrës Serxhio Perez. Hemilton u përpoq të rezistonte, por vetëm sa dëmtoi makinën.

Leklerk përfitoi nga një gabim i Perezit dhe u tregua i zoti për të zënë vendin e katërt në fund, që bashkë me vendin e 5-të të Karlos Sainz e bën të pranueshëm bilancin e Ferrarit në këtë garë. Në këtë moment Ferrari lufton me MekLarenin, forca e tretë e Botërorit.

Incidenti mes Botas dhe Rusëll ishte një moment interesant dhe pak komik i garës. Pas përplasjes, për fat të mirë pa pasoja për dy pilotët, Rasëll shkoi te Botas për t’u ankuar dhe aty bëri edhe një gjest të shëmtuar, duke e goditur në kaskë. Finlandezi është betuar se kishte lënë hapësirë mjaftueshëm për Rasëll, ndërsa ky i fundit betohet se përfundoi në bar dhe humbi kontrollin, pasi Botas e preku në të djathtë. E vështirë për të gjykuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë