Motosport

Vershtapen bën një goditje të madhe në Austin, shkëputet nga Hemilton

Maks Vershtapen fiton garën e Austin, duke lënë pas Ljuis Hemiltonin dhe dyfishon avantazhin e pikëve ndaj kampionit të botës në klasifikimin e përgjithshëm. Anglezi duhet të kënaqet me vendin e dytë. Në vend të tretë Perez me Red Bull-in tjetër, ndërsa sfida mes Ferrarit dhe MekLaren është mbyllur në favor të skuderisë italiane, me Leklerk përpara Riçardo.

Hemilton e nisi shumë mirë garën, mori kryesimin që në start, por kjo nuk mjaftoi. Mercedesi reagoi me një ose dy xhiro vonesë pas pit stopit të Vershtapen, i cili mori komandën në pjesën qendrore të garës dhe e administroi mirë atë, duke përballuar një finale të vështirë, me goma shumë më pak të freskëta se ato të rivalit.

Në fund të një fundjavë që dukej në favor të Mercedesit, Vershtapen dhe Red Bulli kanë bërë një goditje të madhe në garën e titullit. Në renditjen e përgjithshme, holandezi shkëputet 12 pikë para Hemiltonit (287.5 ndaj 275.5), që nuk u bënë 13, sepse anglezi në fund arriti të fitonte pikën bonus për xhiron më të shpejtë të garës. Nuk ndodhi që në Teksas të shihej ai dueli i egër që të gjithë prisnin.

Sfida Vershtapen-Hemilton praktikisht eklipsoi gjithë pjesën tjetër. Perez zurin vendin e tretë dhe Leklerk vendin e katërt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë