Ne rrjet

Venezuela përçan botën!

Shpërthimi i krizës së brendshme në Venezuelë pas shtypjes së vazhdueshme të protestuesve ka të ngjarë të kthehet tanimë në një përballje botërore, mes forcave autoritare dhe demokratike.
Udhëheqësi venezuelian Nicolás Maduro ka ndërprerë marrëdhëniet me SHBA-në pasi administrata e presidentit Donald Trump ka njohur udhëheqësin e opozitës Juan Guaido si presidentin e përkohshëm të vendit të Amerikës Jugore. Pas këtij vendimi, Maduro u dha diplomatëve amerikanë 72 orë për t'u larguar nga vendi, një paralajmërim që u hodh poshte nga Uashingtoni zyrtar.

Guaidó u shpall president nga mijëra qytetarë që iu bashkuan të mërkurën protestave masive. Shtetet e Bashkuara thanë presidenti Maduro nuk kishte autoritet dhe i kërkuan ushtrisë që të mbështeste Guaidon, por deri tani ajo ka mbetur besnike ndaj tij.

Protestat vijnë ndërkohë që Venezuela ka pësuar rënie të pashembullt ekonomike dhe po përballet me mungesën e energjisë në pjesë të konsiderueshme të vendit si dhe mungesat e ushqimeve bazë.

Situata duket se shkoi drejt shpërthimit, pasi mijëra venezuelianë morën pjesë në një tubim në mbështetje të Guaido, i cili është kreu i Asamblesë Kombëtare. Ai u zotua para mbështetësve se protestat do të vazhdonin derisa Venezuela të çlirohej. “Betohem formalisht të marr përsipër kompetencat ekzekutive kombëtare si presidenti i përkohshëm”, deklaroi Guaido, duke u zotuar të mbante zgjedhje të lira.

Por situata duket se doli jashtë kontrollit, pas dhunës së ushtruar nga qeveria. Mediat venezeueliane bëjnë të ditur se 14 persona u qëlluan për vdekje gjatë protestave, ndërkohë që Guaido u bëri thirrje forcave të armatosura që të mos i binden qeverisë.

Pas këtyre zhvillimeve, presidenti Donald Trump bëri të ditur se do të njihte 35-vjeçarin si president të përkohshëm. Në një deklaratë, shefi i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi udhëheqjen e Maduros si "të paligjshme", duke theksuar se populli i Venezuelës ka folur me guxim kundër presidentit dhe regjimit të tij. Trump paralajmëroi Maduron të mos kërcënonte sigurinë e popullit venezuelian, duke e kërcënuar me sanksione të pashembullta.


Juan Guaido betohet si president

Ai u tha gazetarëve se nuk po merrte në konsideratë veprime ushtarake, por shtoi se "të gjitha opsionet janë në tryezë". Presidenti u bëri thirrje kombeve të tjera që të ndjekin shembullin e mbështetjes së Guaidos. Menjëherë pas kësaj deklarate, Kosova ishte shteti i parë europian që doli në mbështetje vendimit të SHBA-së, duke u uruar qytetarëve të Venezualës në rrugëtimin drejt rivendosjes së demokracisë në këtë vend.

Po ashtu, shtatë vende të Amerikës së Jugut, Brazili, Kolumbia, Kili, Peruja, Ekuadori, Argjentina dhe Paraguai kanë njohur Guaidon si president të ligjshëm. Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) gjithashtu e njohu 35-vjeçarin si president. Venezuela u tërhoq nga organizata në vitin 2017, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në punët e saj të brendshme.

Por Meksika, Bolivia Turqia , Rusia dhe Kuba kanë shprehur mbështetjen ndaj Maduros, duke shkaktuar kështu një përplasje forcash në Venezuelë, frontin e kryesuar nga SHBA-ja kundër frontit të kryesuar nga Rusia. Kuba tha se mbështeste Maduron kundër "përpjekjes së grushtit të shtetit". Ministri i Jashtëm Bruno Rodriguez deklaroi se presidenti venezuelian do të triumfonte kundër ndërhyrjes imperialiste".

Si reagoi bota

Pas tij, presidenti i majtë bolivian deklaroi se imperializmi po organizonte një goditje ndaj demokracisë dhe vetëvendosjes. Qeveria e Presidentit Andres Manuel Lopez Obrador në Meksikë u shpreh po ashtu se vazhdon të njohë Maduron si president. Ndërkohë Moska zyrtare dënoi vendimin e SHBA-së për të njohur Guaido dhe akuzuan Uashingtonin për orkestrimin e një "grushti shteti".

Pas saj reagoi edhe një zëdhënës i Presidentit Erdogan që deklaroi se Turqia ishte në krah rë Maduros. “Vëllau im Maduro, qëndro i fortë, ne jemi pranë jush”, shkruante ai në Twitter.

Por si reagoi Europa?

I pari që reagoi ishte ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, i cili i bëri thirrje të gjithë aktorëve në Venezuelë që të heqin dorë nga dhuna. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, bëri thirrje për "zgjedhje të lira dhe të besueshme" në emër të 28 vendeve anëtare të BE. Por deri më tani, blloku europan nuk e ka njohur Guaidon si president.

Nicolas Maduro

Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian, i cili përfaqëson qeveritë anëtare të BE-së, tha se "ndryshe nga Maduro", Guaido ka "një mandat demokratik nga qytetarët venezuelianë" sepse ai u zgjodh në parlamentin e Venezuelës. Tusk theksoi se BE-ja do të dilte me një qëndrim zyrtar të enjten dhe bëri thirrje për një reagim të përbashkët për të "mbështetur forcat demokratike". Ndërkohë Franca është vendi i vetëm I BE-së që deri më tani ka njohur Guaidon.

Përgjigjja e Presidentit Maduro

Maduro akuzoi Uashingtonin se po përpiqej të ndërhynte në punët e brendshme të Venezuelës nga larg dhe tha se opozita po kërkonte të bënte një grusht shteti.

"Kemi pasur ndërhyrje të mjaftueshme, këtu kemi dinjitet!", tha ai në një fjalim televiziv nga pallati presidencial, ku mijëra ishin mbledhur për të treguar mbështetjen për të.
Ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino po ashtu dënoi thirrjen e Guaido për ushtrinë që të mos e mbështesë më maduron.

"Ushtarët e kombit nuk e pranojnë një president të imponuar nga interesa të panjohura, as një vetë-shpallur” tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë