Politike

“Venecia” trazon Tiranën! Copëza të opinionit i japin të drejtë Presidentit, Balla ngrin dekretin për betimet

Fragmente të draft-opinionit paraprak të Komisionit të Venecias në lidhje me përplasjen mes Ilir Metës dhe mazhorancës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese u publikuan këtë të premte në disa media. Mazhoranca drejtoi gishtin nga Presidenca për rrjedhjen e këtij informacioni në kundërshtim me udhëzimet e Venecias për të mos u bërë publik.

Sipas përmbajtjes së draftit paraprak të publikuar në media, që në duart e zyrtarëve në Tiranë ka mbërritur për konsultim, Komisioni ka rrëzuar nismën e PS për ndryshimit e ligjeve për betimet dhe i jep të drejtë Presidentit Meta në lidhje me përplasjen me Këshillin e Lartë të Emërimeve në Drejtësi për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

“Vendimet e Presidentit janë përgjithësisht në interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Në dritën e këtij interpretimi, neni 179 i Kushtetutës duket se i jep të drejtë Presidentit në përplasjen me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Për këtë arsye, nuk ka asnjë bazë për shkarkimin e Presidentit”, citohet drafti paraprak.

Këshilltari juridik i Presidentit Ilir Meta, Bledi Dervishaj publikoi si indicie faqen e parë të draftit.

Nga mazhoranca, Tualant Balla e konfirmoi ekzistencën e këtij drafit paraprak dhe akuzon Presidencën për rrjedhjen e informacionit.

“Komisioni i Venezias na ka vënë në dispozicion një “draft paraprak” të Opinionit “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, për të cilin na është kërkuar nga ana e tyre të ruajmë strikt konfidencialitetin dhe të mos bëjmë asnjë koment, sepse drafti është dërguar për t’u konsultuar dhe komentuar nga palët”, thotë ai përmes një postimi në rrjetet sociale.

Përmbajtjen e shpërndarë nëpër media, Balla e cilëson si copëza të shkëputura nga përmbajtja e përgjithshme e draftit dhe kujton se për të njëjtën gjë, Venecia i tërhoqi veshin palës shqiptare gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, kur u publikua drafti paraprak për përplasjen për 30 qershorin mes Presidentit dhe mazhorancës.

“Shpërndarja e copëzave, apo fjalive të veçanta në raste të mëparshme te drafteve paraprake ka demtuar kredibilitetin e procesit te konsultimit me Komisionin e Venecias. Prandaj ne do të ndjekim në mënyrë strikte agjendën dhe respektojmë kërkesën për konfidencialitet prej vetë Komisionit të Venecias deri në miratimin e një opinioni final zyrtar”, thotë ai.

Paralelisht me këtë, Balla njofton se ekspertët e mazhorancës po përgatisin reflektimet dhe pretendimet për opinionin përfundimtar, duke sqaruar se në lidhje me ligjin e betimeve të kthyer nga Presidenti Meta, mazhoranca nuk do të ndërmarrë asnjë aksion deri kur të shprehet Venecia.
“Kjo do të thotë po ashtu, se deri në marrjen e Opinionit përfundimtar zyrtar, dekreti i rikthyer nga Presidenca nuk do te diskutohet dhe as shqyrtohet në Kuvend për të respektuar deri në fund Komisionin e Venecias”, thotë Balla.

Në lidhje me këto zhvillime ka reaguar edhe Ambasada Amerikane, që përmes një deklarate kërkon nga të gjitha palët që të respektojnë procesin e nisur nga Komisioni i Venecias, përfshirë këtu edhe kërkesën për të mos bërë publike para kohe draft-opinionet. SHBA mirëpret gjithashtu edhe vendimin e mazhorancës për të mos ndërmarrë asnjë vendim në lidhje me dekretin e Presidentit Meta që kthen ndryshimet në ligjin për betimet.

“Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet. Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqëndruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Europë”, mbyllet deklarata.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar përmes shpërndarjes së qëndrimit të shprehur nga amerikanët, duke ndarë të njëjtin mendim në lidhje me procesin e nisur nga Venecia dhe vendimin e mazhorancës për të mos vepruar ndaj dekretit të Metës për betimet.

Ndërkohë, për Komisioni i Venecias u ka vendosur afate palëve për të dhënë mendimet e tyre në lidhje me draftin paraprak. 6 marsi, pra dita e premte ka qenë afati që u është dorëzuar palëve ky draft. Deri më 13 mars, Presidenca dhe mazhoranca duhet të dorëzojnë komentet dhe pretendimet e tyre mbi këto gjetje të Venecias.

Mbi bazën e këtyre komenteve realizohet versioni i rishikuar i draftit që i dorëzohet Komisionit të Venecias për miratim në seancë plenare, të parashikuar për më 21-22 mars, por që edhe mund të shtyhet për shkak të epidemisë së koronavirusit që ka përfshirë Italinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë