Politike

Komisioni “Meta” shtyn sërish afatin, por e bllokon Venecia

Komisioni Hetimor i ngritur nga mazhoranca për hetimin e Presidentit Ilir Meta ka shtyrë afatin punës me 4 muaj të tjerë, deri më 31 korrik. Shtyrja është vendosur në mbledhjen e kësaj të marte, që është zhvilluar online për shkak të masave kundër përhapjes së koronavirusit.

Megjithatë, Gazeta “Si” mëson se Komisioni do të qëndrojë pezull deri në mbërritjen e opinionit të Venecias nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën me emërimet në Gjykatën Kushtetuese apo jo dhe më pas do të mblidhet për të shqyrtuar akuzat që ka ngritur ndaj Ilir Metës për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Kjo do të thotë se mazhoranca mund të presë deri më 19-20 qershor, kur pritet që të zhvillohet sesioni plenar i Komisionit të Venecas, që ishte parashikuar më 22 mars, por që u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, opinioni paraprak i Venecias është miratuar që më datë 6 mars. Copëza nga përmbajtja e këtij draft-opinioni rrodhën në mediat shqiptare pak ditë më vonë.

Raporti paraprak i 6 marsit, i klasifikuar si konfidencial theksonte se Presidenti nuk kishte shkelur kompetencat me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa vlerësonte se vetëm emërimi i Besnik Muçit ishte i rregullt, duke rrëzuar kështu edhe emërimet që u realizuan nga ana e Parlamentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë