Politike

Venecia, në shkurt mbërrijnë ekspertët. Presidenca: Janë të mirëpritur

Ekspertët e komisionit të Venecias do të mbërrijnë në Shqipëri në fillim të muajit shkurt për t’u njohur më nga afër mbi procesin e ndjekur për sa i përket emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo është konfirmuar nga vetë Komisioni i Venecias, i cili ka pranuar kërkesën e kryetarit të Parlamentit, Gramoz Ruçi për të dhënë opinionin mbi debatit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ku mazhoranca parlamentare e ka cilësuar si shkelje dekretin e presidentit Meta për caktimin në këtë detyrë të Marsida Xhaferllarit.
Ruçi më 30 dhjetor të 2019-ës, i dërgoi një letër zyrtare Venecias me pesë pyetje në lidhje me procedurën e caktimit të anëtarit nga presidenti dhe se njëherësh kërkoi nëse ka shkelje kushtetuese dhe se si duhej të vepruar kur tejkalohet afati 30 ditor.
Për socialistët, Meta ka shkelur Kushtetutën dhe për këtë arsye ka zgjeruar objektin e hetimit të komisionit parlamentar të posaçëm për shkarkimin e presidentit. Ndërkaq ka ndërmarrë një tjetër nismë se nëse presidenti nuk pranon të kryejë betimin e ndonjë anëtari, siç është rasti që pretendohet me Arta Vorpsin, ata mund të betohet automatikisht. Për këtë nismëtarët në draftin që pritet të shqyrtohet i kanë vendosur një afat 10 ditor për kryerjen e betimit të anëtarëve. “Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në propozimin e socialistëve.

Pas lajmi të mbërritjes së ekspertëve të Venecias në Shqipëri, për herë të dytë por për çështjen e presidentit, ka ardhur edhe reagimi i Presidencës. “Venecia, gjithmonë e mirëpritur në Shqipëri!”, shprehet zëdhënësi i Presidentit,Tedi Blushi.
Komisioni i Venecias pas takimeve me zyrtarët e Parlamentit, anëtarët e komisionit të posaçëm për shkarkimin e Presidentit, si dhe me vetë presidentin Meta, do të nxjerrë raporton në muajin mars. Ndërsa komisioni hetimor ka shtyrë afatin e hetimit pikërisht për faktin se do t’i drejtohet zyrtarisht Venecias, si dhe është në pritje të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë