Shendet

Vendosja e kalorive në menu mund të shpëtojë mijëra jetë

Një ligj amerikan në vitin 2018 u kërkoi restoranteve që të shfaqin edhe kaloritë në menutë e tyre në mënyrë që të luftohet obeziteti dhe bazuar në të dhënat e një sondazhi kombëtar nga studiuesit e Universitetit Tufts, Amerikë, ky ligj ka funksionuar pasi klientët e këtyre restoranteve kanë konsumuar 20 deri në 60 kalori për çdo vakt.

Kjo politikë parashikohet të parandalojë të paktën 28.000 raste të kancerit të lidhura me obezitetin dhe do të kursente një total prej 2.8 miliard dollarë në kostot e kujdesit shëndetësor.

Hulumtimet e mëparshme tregojnë se si politika mund të parandalonte një numër të madh të rasteve të sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit të tipit 2 tek të rriturit, por nuk ishin vlerësuar kurrë më parë ndikimet që kishte tek parandalimi i kancerit.

“Është e rëndësishme për ne që të vazhdojmë t'u tregojmë konsumatorëve, politikëbërësve dhe industrisë se si ndryshimet e vogla mund të çojnë në përfitime të mëdha”, thotë autori kryesor Mengxi Du.

Ai thotë se ky studim tregon se vendosja e kalorive në menu ka përfitime shumë të mëdha dhe restorantet mund të kontribuojnë në një shëndet të mirë për klientët duke shënuar kaloritë në menutë e tyre si dhe duke zëvendësuar produktet me kalori të lartë me produkte me më pak kalori.

Studimi, i botuar të martën në revistën BMJ, vlerësoi se grupi që do të përfitonte më shumë janë të rinjtë e moshës 20 deri në 44 vjeç, një grup që po sheh një rritje disproporcionale të kancereve të lidhura me obezitetin.

Studiuesit thanë se duhet bërë akoma më shumë në mënyrë që njerëzit nga të gjitha prejardhjet të mund të përfitojnë nga politika e kalorive në menu.

“Njerëzit me arsim të lartë ose nivele të të ardhurave janë të vetëdijshëm për informacionin në kaloritë e menusë dhe mënyrën se si ta kuptojnë atë, por ne duhet të bëjmë disa përpjekje në arsim në mesin e komuniteteve me të ardhura të ulëta, sepse ne ende shohim disa pabarazi”, thotë Du.

Numërimi i kalorive në menu në Europë?

Ndërsa janë kërkuar të vendosen vlerat ushqyese për ushqimet e paketuara në të gjithë Bashkimin Europian prej disa vitesh tashmë, shumica e vendeve në Europë nuk i shënojnë kaloritë në restorante.

Irlanda ishte afër që ta miratonte ligjin në vitin 2015, por qeveria është tërhequr që atëherë dhe nuk ka pasur më zhvillime.

Një vend jashtë BE-së që kërkon numërimin e kalorive në menu është Britania e Madhe, e cila ka një kërkesë për etiketimin e kalorive që nga viti 2022.

Kafenetë dhe restorantet janë të detyruar të shfaqin informacion për kaloritë në ushqime dhe pije.

Lëvizja është në shqyrtim në Skoci dhe Uells.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë