Politike

Vendimi për Bashën, Balla: Të apelohet! Paloka: Ra shpifja e radhës

Partia Socialiste ka reaguar në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimi të dhënë nga gjykata për pushimin e çështjes së hetimit ndaj liderit të PD-së, Lulzim Basha për falsifikim të dokumenteve dhe vulave për lobimin në SHBA. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla me anë të një postimi në Facebook e cilëson si të teatër dhe të turpshëm vendimin e procedurën e ndjekur.

"Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim. Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare. Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin “kap çfar të kapësh”, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm", reagon Balla.

Ai madje propozon që Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që sipas tij "çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë".

"Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë", është propozimi i dytë i Ballës.

Financimi i lobimit në SHBA, ku pas një hetimi doli se ishin fshehur një kompani ruse ishte një nga armët më të forta të PS-së kundër kryedemokratit Lulzim Basha. Madje vetë socialistët miratuan një rezolutë të posaçme në Parlamentin shqiptar për rrezikun e influencës ruse në Shqipëri.

No photo description available.
Dokumenti i pagesave te PD per kompanine amerikane lobuese

Kësaj deklarate të Taulant Ballës i ktheu përgjigje Edi Paloka, përmes një postimi në rrjetet sociale. Paloka thotë se shpifja e radhës me të cilën Rama “ndërsente më të shpifurin e shpifësve ndaj Bashës dhe PD shkoi në kosh bashkë me të tjerat”.

“Për fat të mirë, - vijon Paloka - “rilindja” nuk mund të marrë peng të gjithë drejtësinë, pavarësisht shantazheve dhe presioneve të gjithanshme për ta përdorur atë politikisht, siç ka bërë në jo pak raste të tjera”, thotë ai.

Megjithatë, ish-deputeti demokrat thotë se drejtësi nuk ka ende.

“Drejtesia do të vendoset vetëm atëherë kur raca e taulantëve të “rilindjes” të japë llogari jo thjesht për shpifje, po për krimet e kryera. Tao Yaris duhet të dalë para një drejtësie të pakapur, e të japë llogari për tenderat që merr nga qeveria miku i tij trafikant. Trafikanti për të cilin qeveria e Ramballëve është e gatshme të zhvendosë dhe Lanën, e të shkatërrojë shtëpitë dhe jetën e qindra familjeve. Taulant Yaris duhet të dalë të tregojë lidhjet me krimin, shitblerjen e votave, korrupsionin galopant me tendera dhe koncesione që po varfërojnë çdo ditë shqiptarët. PD e provoi dhe në këtë rast, që me asnjë fabrikim për shantazh nuk do të na e mbyllin dot gojën. Ne do të luftojmë deri në fund dhe shumë shpejt drejtësia do të vendoset për të gjithë”, mbyll reagimin e tij, Edi Paloka.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=2314119268886046&id=100008639860309

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë