Politike

Vendimi i Strasburgut, qeveria dëmshpërblen familjet e prekura nga tragjedia e Gërdecit

Gazeta Si - Këshilli i Ministrave ka vendosur të ekzekutojë këtë të mërkurë vendimin e Gjykatës së Drejtave të Njeriut në Strasburg për dëmshpërblim ndaj familjeve të prekura nga tragjedia e Gërdecit në 15 mars 2008.

Me vendimin e datës 7 nëntor 2023, Gjykata urdhëroi se “shteti shqiptar duhet t’u paguajë kërkuesve: bashkërisht Zamira Durdajt dhe Feruzan Durdajt, 12 000 euro (dymbëdhjetë mijë euro), aplikantëve të mbetur, 10,000 (dhjetë mijë euro) secili, ku përfshihen 15 persona me një total prej 150 ijë euro; dhe bashkërisht për të gjithë aplikantët, 8,000 (tetë mijë euro) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet.

Dëmshpërblehen me 12 mijë euro bashkërisht: Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj.

Dëmshpërblehen me 10 mijë euro: Aishe Selami, Pashk Kaçi, Mirela Hazizaj, Miselda Zguri, Medi Gola, Rabie Gërdeci, Shaban Brahushi, Sabrie Picari, Dylbere Prini, Adelina Cani, Meltina Haka, Bege Aliu, Esmeralda Sefaj, Roxhens Durdaj dhe Alketa Hazizaj.

Në VKM thuhet se pagimi i shumave të depozituara do të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.

Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përcaktuar në pikën 4 të këtij vendimi, për shumat e përcaktuara në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të paguhen interesa të thjeshtë të barabartë me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.

Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë