Drejtësia

‘Gërdeci’ / Shtyhet seanca për ish-ministrin Fatmir Mediu. Mihal Delijorgji refuzon të dëshmojë

Gazeta Si- Shtyhet për në 9 prill seanca e radhës për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun në lidhje me çështjen “Gërdeci” që ishte parashikuar të mbahej këtë të mërkurë.

Ish-administratori i “Albademil”, Mihal Deliorgji ishte personi i vetëm që u paraqit sot në procesin “Gërdeci”, por nuk preferoi të dëshmonte.

Avokatët e ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu kërkuan që dëshmitë e dhëna nga Deliorgji, si person në hetim dhe si i pandehur, të bëhen pjesë e fashikullit të gjykimit, kërkesë që u pranua nga GJKKO.

Dëshmitë janë bërë përkatësisht me 17 mars të 2008 dhe më 21 qershor të 2008.

Nga ana tjetër, ish sekretarja e Ministrisë së Drejtësisë Anjola Agolli, Luan Hoxha dhe Denis Hajdari nuk u paraqitën në seancë për të disatën herë, ndërsa gjykata përsëriti sërish thirrjen e tyre.

Për Denis Hajdarin, Prokuroria e Posaçme kërkoi që te bëhet shoqërimi i detyrueshëm i tij, pasi ka marrë dijeni për seancën.

E pyetur nga mbrojtja e Mediut, GJKKO vendosi të lë të pandryshuar mënyrën e marrjes në pyetje të përfaqësuesve te kompanisë amerikanë SAC, që sipas gjykatës do të behet me letërporosi dhe jo me video konferencë.

I pranishëm në ambientet e GJKKO-së ka qenë edhe vetë Mediu, i cili pas shtyrjes së gjyqit ka thënë se prokuroria dhe dëshmitarët e thirrur për këtë çështje nuk po japin asnjë të dhëne të re.

Mediu i ka kërkuar gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë për mënyrën e marrjes së dëshmive të shtetasve amerikan me videokonferencë, ndërsa gjykata tha se deri më tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet me letër-porosi.

“Besoj që kjo është rruga më e  drejtë pse nuk duhet bërë në këtë formë, përmes video konferencës, vijon një lloj gjyqi që qartësisht prokuroria nuk po japin asnjë të dhënë të re, dëshmitarët vijojnë të mbajnë qëndrimin për t’u mos u pyetur, njerëz që kanë qenë kontraktorë apo kanë marrë vendime, mos përgjigja e tyre tregon se prokuroria i kanë sjellë si dëshmitarë formalë”, tha Mediu.

Ish-ministri i Mbrojtjes po hetohet për shpërdorim detyre në lidhje me vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve pas shpërthimit që ndodhi në Gërdec më 15 mars të vitit 2008.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë