Lajme

Vendimi i SHBA, refuzim vizash për gjyqtarët e prokurorët e korruptuar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendosur të mbështesin procesin e Vettingun në sistemin e drejtësisë, duke paralajmëruar njëherësh edhe masa të forta ndëshkimore për gjyqtarët e prokurorët e korruptuar.

Zëvendësambasadori në detyrë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Dan Koski duke folur gjatë ceremonisë së zhvilluar në Fakultetin e Drejtësisë për diplomimin e juristëve të rinj u shpreh se qeveria amerikane do të refuzojë dhënien e vizave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

Koski gjatë fjalës së tij lëshoi tre mesazhe të drejtpërdrejta tek të diplomuarit duke theksuar se “Amerika do të qëndrojë krah çdo personi që angazhohet për ndërtimin e një Shqipërie që është e drejtë dhe e lirë – për të gjithë shqiptarët.  Pavarësisht profesioneve tuaja apo politikave tuaja.  Nëse qëndroni për drejtësinë, ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të qëndrojmë krah jush”.

“Mesazhi i tretë, vendosmëria e Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur shtetin ligjor është e pathyeshme. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë kundër zyrtarëve të korruptuar që përdorin postet e tyre për përfitime vetjake. Gjithashtu, do të vazhdojmë të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion që fjalët tona të mbështeten me veprime. Si provë, do të vazhdojmë t’iu refuzojmë vizat zyrtarëve të korruptuar që janë të pamirëpritur në vendin tonë, për shkak të turpërimit që kanë sjellë mbi tuajin.  Për këtë, gjithashtu, keni premtimin tonë”, tha gjatë fjalës së tij Koski.

Zv.ambasadori amerikan gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e djeshme

Gjithashtu diplomati amerikan ka dhënë edhe një mesazh në lidhje me procesin e Vettingut dhe me debatin e hapur së fundmi për vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për dhënien e lejes prindërore dyvjeçare për gjyqtarin Gjin Gjoni.

“Do të vazhdojmë të mbështesim Vetting-un për çdo prokuror dhe gjyqtar, pa asnjë përjashtim. Për shembull, jemi dakord me Gjin Gjonin që leja e tij prindërore nuk duhet të shërbejë si një mënyrë që ai ta shmangë Vetting-un”, theksoi zv.ambasadori Koski.

Në këtë ceremoni, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se rezultatet e procesit të Vettingut janë befasuese.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj

“Procesi i rivlerësimit kalimtar ka filluar të japë rezultatet e para dhe ajo çka po shohim është befasuese. Një numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh janë larguar nga sistemi për shkak të shkarkimit ose kanë dhënë dorëheqjen, për të mos u përballur me Vettingun. Në fakt Vettingu, një proces i cili po realizohet dhe mbikëqyret në mënyrë strikte nga Ndërkombëtarët ka nxjerrë në sytë e publikut një vërtetë të madhe dhe shumë të hidhur: Kalbëzimin e sistemit të vjetër të drejtësisë. Faktet e rënda për pasuri të pajustifikuara, lidhje me botën e krimit apo profesionalizëm të cenuar që po zbulohen dita ditës i japin të drejtë këmbënguljes sonë për të kryer një reformë të thelle e radikale dhe jo ndërhyrje të pjesshme në sistem”, tha Gjonaj.

SHBA ka mbajtur një politikë të qartë duke refuzuar dhënien e viza amerikane për gjyqtarët e prokurorët e dyshuar si të korruptuar. Ambasada amerikane në vitin 2016 i ka refuzuar vizën edhe vetë gjyqtarit Gjin Gjoni. Një vendim i tillë erdhi pas aplikimit që bëri gjyqtari në ambasadën amerikane.

Ndërsa vendimi më i fortë i SHBA-së është shpallja e personit “non-grata” të ish-kryeprokurorit Adriatik  Llalla dhe refuzimit të vizës dhe familjarëve të tij. Vendimi u shpall nga Sekretari Amerikan i shtetit Rex Tillerson më 15 shkurt të këtij viti, ku Llalla akuzohej për afera korruptive dhe dhunim i të drejtave dhe lirive të njeriut.

Deklarata e Departamentit Amerikan për shpalljen "non grata" të ish-kryeprokurorit Adriatiak Llalla

Debati Qeveri-KLD për Gjin Gjonin

Qeveria, nëpërmjet ministrisë së Drejtësisë reagoi ashpër ndaj vendimit të dhënë nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku i dha lejë prindërore dyvjeçare anëtarit të saj, gjyqtarit Gjin Gjoni, duke e cilësuar si një vendimmarrje e paligjshme dhe tentativë për shmangie nga procesi i Vettingut.

“Nisur nga përgjegjësia ime si Ministre e Drejtësisë dhe njëkohësisht si anëtare e KLD-së, do t'i drejtohem zyrtarisht këtij institucioni që të shfuqizojë, si absolutisht të pavlefshëm këtë vendimmarrje të marrë në shkelje të rëndë e flagrante të ligjit. Në të kundërt, kërkesa do t’i drejtohet gjykatës për të anuluar këtë akt haptazi të paligjshëm si dhe Komisionit të Vettingut me një kërkesë publike për largimin nga gjyqësori të të gjithë atyre, që kanë ngritur dorën kundër ligjit. KLD duhet të ndalë njëherë e mirë vendimmarrjet e paligjshme e cila bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës, legjislacionin ne fuqi dhe interesin e qytetareve”, deklaroi Gjonaj disa ditë më parë në lidhje me vendim e marra në mbledhjen e 10 tetorit nga KLD.

Mbledhje e KLD, e cila drejtohet nga Presidenti Ilir Meta

Pas kësaj deklarate erdhi dhe reagimi i KLD-së, ku shprehu keqardhjen dhe i cilësoi si të pasakta.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zhvilluar mbledhjen e tij më datë 11.10.2018, në të cilën përveç dy çështjeve të caktuara në rendin e ditës është miratuar dhe përfshirja për shqyrtim në këtë mbledhje edhe kërkesa e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë z.Gjin Gjoni për leje prindërore. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese KLD ka vendosur: “Të miratojë kërkesën për leje prindërore për një periudhë 2 vjeçare, gjyqtarit Gjin Gjoni, për funksionin si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë”. Në lidhje me deklaratën e Ministres së Drejtësisë, shprehim keqardhjen për pasaktësitë në përmbajtjen e saj, pasi së pari duhet sqaruar se anëtarja e KLD-së zj.Etilda Gjonaj, nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, megjithëse është njoftuar për zhvillimin e saj. Në kushtet kur Ministrja Gjonaj nuk ka qenë prezent në mbledhjen e zhvilluar, deklarata e saj për mungesë transparence nga KLD, nuk është objektive dhe aspak korrekte në citimet e saj.  Është i pavërtetë gjithashtu dhe deklarimi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk ka pasur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, pasi kuorumi vendimmarrës i KLD-së mbi këtë çështje pasqyrohet qartësisht dhe në mënyrë transparente në procesverbalin e mbledhjes të publikuar. Gjithashtu sqarojmë se z.Gjin Gjoni, nuk ka marrë pjesë në votimin e kësaj pike shtesë të rendit të ditës.Çdo pretendim apo kundërshtim që mund të ketë, jo vetëm Ministrja e Drejtësisë, por dhe çdo anëtar tjetër i KLD-së, është i mirëpritur t’i paraqesë së pari me pjesëmarrje e tij në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke përmbushur kështu funksionin e anëtarit të këtij organi për sa kohë ky organ do të jetë funksional”, thuhet në deklaratën e KLD-së.

Ndërsa në një prononcim për median vizive, Gjin Gjoni theksoi se “Kuorumi për vendimmarrjen ka qenë i plotë dhe nuk është e vërtetë që votova për veten time. Nuk është hera e parë që KLD miraton leje të kësaj natyre. Leja prindërore nuk e përjashton dhe nuk e shtyn vettingun”, duke nënkuptuar se nuk do t’i shpëtojë këtij filtri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë