Politike

Vendimi i Gjermanisë për hapjen e negociatat, reagojnë Rama dhe Basha

Pas vendimit të grupeve Parlamentare të Koalicionit Qeverisës CDU-CSU dhe SPD në Bundestagun Gjerman për hapjen e negociatave me kushte për Shqipërinë, kanë reaguar edhe kryeministri Edi Rama dhë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i qeverisë ishte i pari që ndau me ndjekësit lajmin e mirë, duke falënderuar publikisht edhe kancelaren Angela Merkel. Mes të tjerash Rama ka dhe një mesazh për ata që votuan kundër, ndërsa shton se ‘do t’i bindim në çdo hap me fakte’.

"Faleminderit të gjithë deputetët e CDU/CSU që më në fund votuan pro hapjes së negociatave. Ata qē votuan kundër do t’i bindim në çdo hap me fakte se Shqipëria e Meriton hapjen e negociatave. Faleminderit Angela Merkel për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë”, shkruan Rama.

Por për Bashën, shtimi i kushteve dhe kërkesa për zgjidhjen e krizës politike shprehin shqetësimin e sinqertë për hapat mbrapa që Shqipëria ka shënuar që nga qershori 2018.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ lideri opozitar thekson se këto kushte shtesë dhe kërkesa reflektojnë dështimet e qeverisë dhe jo të popullit shqiptar, ndërsa shton se; ‘Do bëjmë gjithçka për hapjen e negociatave’.

"Partitë qeverisëse në Bundestag kanë miratuar sot 9 kushte për tu plotësuar që Shqipërisë ti hapen negociatat për anëtarësim në BE.Ju shpreh mirënjohjen ligjvënësve gjermanë dhe në veçanti partive tona simotra CDU-CSU, të cilat rikonfirmuan vullnetin e tyre për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Këto kushte dhe kërkesa reflektojnë dështimet e qeverisë dhe jo të popullit shqiptar. Në veçanti kërkesat e reja për arrestimin dhe proçedimin penal të personave të përfshirë në blerjen e votave dhe kërkesa për të vendosur mbi legjitimitetin e proçesit farsë të 30 qershorit reflektojnë qartë se dështimi dhe përgjegjësia për moshapjen e negociatave është e Edi Ramës dhe askujt tjetër. Vendimi i CDU/CSU dhe SPD për hapjen me kushte të negociatave e ndihmon Shqipërinë për të kapërcyer krizën e rëndë politike, për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme dhe për një drejtësi të pavarur që ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin”, shkruan kreu i Partisë Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë