Lajme

Vendimet për studentët, Meta: Zgjidhje afatgjatë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vendimeve të qeverisë, të njoftuara drejtpërdrejt nga Rama nëpërmjet një konference për shtyp, si zgjidhje e 8 kërkesave të studentëve.
Deklaratën presidenti e ka bërë teksa ka qenë sot i pranishëm në Korçë, në simpoziumin e organizuar nga Universiteti “Fan S.Noli” në Korçë dhe Shoqata Maqedonase “Sonce”, kushtuar veprës dhe krijimtarisë së personalitetit të njohur dhe të veçantë të letrave shqipe, shkrimtarit dhe intelektualit të shquar, Sterjo Spasse.

Meta tha se është shpërdoruar mjaft kohë dhe energji për këtë çështje, ndërsa shtoi se është e dobishme që të jepet një zgjidhje e besueshme.
“Besoj se është shpërdoruar mjaft kohë dhe energji, patjetër e dobishme për t’u dhënë një zgjidhje të besueshme dhe afatgjatë problemeve të arsimit të lartë dhe të studentëve. Në mënyrë të veçantë do të mbështes çdo reflektim të sinqertë, të thelluar dhe konstruktiv në këtë drejtim. Problemi zgjidhet vetëm në këtë mënyrë, përmes një dialogu të sinqertë, jo provokues, jo ndarës, jo intimidues dhe përmes një bashkëpunimi të besueshëm dhe konstruktiv”, tha ai.
Lidhur me protestën e emigrantëve më 28 dhjetor, që është refuzuar nga Policia e Tiranës, shprehet se emigrantët janë të ftuar të protestojnë para Presidencës.
“Shqiptarët kanë protestuar edhe në diktaturë, pavarësisht nga kostot e tmerrshme që kanë paguar. Nuk besoj se një gjë e tillë të ketë ndodhur, por ja e zëmë, se një e tillë mund të ketë ndodhur, janë të ftuar të gjithë emigrantët të protestojnë në oborrin e Presidencës”, shprehet presidenti Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë