Ndihmë vëllazërore nga Kroacia. Me vendim të klubit, Dinamo e Zagrebit do të dhurojë të ardhurat e biletave të dy ndeshjeve për familjet e viktimave të tërmetit në Shqipëri. E para ishte ndeshja me Varteks Varazhdin, e zhvilluar dje në mbrëmje, kurse ndeshja e dytë është derbi me Lokomotivën e Zagrebit, - ku luajnë disa lojtarë shqiptarë, - e programuar për më 14 dhjetor. Lajmi është publikuar në faqen zyrtare të klubit të madh kroat, që jep kështu një shembull konkret për të ndihmuar familjet e prekura nga tragjedia e 26 nëntorit. Cilado që të jetë shuma që do të grumbullohet, rëndësi ka gjesti.
Klubi i Dinamos sqaron gjithçka me detaje, duke bërë me dije se marrëveshja është bërë me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda. Të ardhurat nga biletat për dy ndeshjet e përmendura më lart do të depozitohen në një numër llogarie të veçantë të hapur për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri. Në fakt, siç shkruan vetë klubi kroat në lajmin për dy ndeshjet e bamirësisë, lidhja e Dinamos me Shqipërinë është e fortë. Vëmendja shkon menjëherë te kapiteni aktual i skuadrës, Arian Ademi, një shqiptar që luan për Maqedoninë e Veriut. Ai është lojtari me më shumë trofe në skuadër, 16 trofe.
Edhe në kohën e ish-Jugosllavisë, te Dinamo ka pasur shqiptarë, njëri prej të cilëve është Kujtim Shala, ish-sulmuesi prishtinas që mbetet ndër më të pëlqyerit nga tifozët e Dinamos së Zgrebit. Futbollisti i parë i shquar me origjinë shqiptare që ka luajtur në Kroaci është ish-mbrojtësi i Hajdukut, Vilson Xhoni, në vitin 1978. Dy dekada më vonë ishte Ardian Kozniku, i cili nënshkroi për Dinamon në vitin 1998. Fatos Beqiraj është një tjetër shqiptar i Dinamos, ai ka lindur në Kosovë, por luan për kombëtaren e Malit të Zi.
Sezonin 2018/19, një kontribut të madh në suksesin europian të Dinamos ka dhënë edhe prishtinasi Amir Rrahmani, i cili luan me Veronën në Itali dhe me kombëtaren e Kosovës. Vitet e fundit, mesfushori sulmues shqiptar, Andri Çekiçi, ka qenë pjesë e Dinamos së Zagrebit. Me këtë klub kanë luajtur më parë edhe emra si Besnik Hasi, Besnik Prenga e Agim Cana.
Po ashtu, në historikun e gjatë që bëhet për lidhjet e Dinamos me shqiptarët, përmenden edhe ndeshjet mes skuadrave kroate dhe shqiptare, ku veçohet eliminimi i Dinamos së Zagrebit nga Skënderbeu në Ligën e Europës pak vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.