Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak u zhvillua pa prezencën e përfaqësuesve të opozitës, ku priteshin që të miratoheshin projektligje të rëndësishme për kryeqytetin.
Mungesa e opozitarëve la pa votuar projektligje të rëndësishme si: hapja e qendrës sociale 'Gonxhe Bojaxhi' dhe hartimi i projektit të terminalit të transportit publik në Tiranë. Kryebashkiaku Veliaj në fjalën e tij ironizoi opozitën, duke thënë se kanë nisur ekskursionet në disa rrethe të vendit.
“Ata thonë pse s’na pyesni ne. Ata thonë; ti bëjmë apel parlamentit që të na e varin ne. Po pse PD dhe LSI nuk shkojnë në Parlament? Këta thanë që ‘mbi trupat tanë do të kalojë ligji për teatrin’, dhe të gjithë duke ngrënë drekë në Vlorë. Këta parlamentin e kanë ekskursion dhe i thonë Bashkisë që o burra…Mirë thojini Monës dhe Lulit në telefon; boll me ekskursionet dhe kthehuni në Parlament se jemi të shqetësuar. Po ne do u bëjmë apel kundërshtarëve tanë që të lënë ekskursionet?! Një ditë ekskursion në Vlorë, një ditë në Shkodër, një ditë në Elbasan, e Durrës. Këto janë qytete me det, peshku dhe vera e mirë... Këta janë të shqetësuar se partia e tyre nuk shkon në Parlament. Po pse ne e kemi fajin. Meqë po flasim për vetting, eja ta bëjmë atë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se tashmë nuk ka asnjë aktor që proteston për teatrin, vetëm dy regjisorë të dënuar për vjedhje.
“Kush po proteston për teatrin? Nuk ka asnjë aktor që proteston. Vetëm dy regjisorë që janë dënuar me vendim gjykate për vjedhje. Këta që duan vetting politik, të bëjnë vetting mes artistëve njëherë. Po të bëjnë këta vetting në art, nuk do të kenë më protestues për teatrin”, tha Veliaj.
Më tej, në fjalën e tij ai sfidoi Partinë Demokratike duke thënë se në zgjedhjet lokale që po afrojnë do të fitojnë bindshëm. Përmendi disa statistika në Tiranë në dallim me vitet e kaluara.
"Thonë aferë korruptive për terminalin. Të thuash që kemi bërë shkelje, ne i tregojmë VKM-të e Saliut. Ne hoqëm kompleksin e pallateve të Lulit me një çikë terminal. Tani njeriu o punon, o flen gjumë. Ne do të fitojmë bindshëm në qershor. E panë njerëzit. E panë se kush punon. Tjetër gjë: Tirana në këtë vit në 1 mln banorë ka pasur vetëm 7 vrasje, viti më i mirë i Tiranës për kriminalitetin dhe 4 janë komplet çështje familjare, ai rasti i hajvanit që mori në qafë vajzën te Spitalet, dhe ai i çmenduri në Don Bosko", tha ndër të tjera Veliaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.