Lajme

Veliaj: Në Qershor nis projekti i 4 mijë biçikletave për Tiranën

Tirana më 1 qershor do të pushtohet nga 4 mijë biçikelta, dhe ky është projekti inovator i bashksië së Tiranës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe homologu nga Firence, Dario Nardella, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për këtë projekt, si dhe diskutuan për projekte të reja në çështjet e kulturës, ndriçimit dhe transportit.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Tirana është gati të zbatojë projektin e biçikletave, i cili ka rezultuar tepër i suksesshëm në Firence, ndërkohë që puna do të vijojë edhe me projekte të tjera sipas modelit të Smart City.

“Duam të punojmë shumë për Smart City, si ta bëjmë Tiranën një qytet inteligjent. Në njëfarë mënyre kopjuam projektin nga Firence dhe jemi gati të fillojmë me biçikletat me qira në Tiranë, një sistem inovator, të cilin e kemi parë se si ka funksionuar perfekt në Firence. Projekti do të nisë në 1 qershor dhe mandej, do të vijojmë me të gjitha projektet e tjera Smart City gjatë gjithë vitit”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella, vlerësoi projektet e përbashkëta me Bashkinë e Tiranës si ai për ndriçimin publik dhe projektin ambicioz për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në Tiranë. Ai theksoi se nisma për mbjelljen e pemëve në Tiranë është sot projekti më ambicioz në të gjithë Evropën.

“Po bashkëpunojmë me Tiranën për një projekt për ndriçimin publik dhe smart-city, të cilin e kemi shumë për zemër dhe jemi gati, së bashku me sipërmarrësit tanë, ndërmarrjet tona, për të investuar në këtë vend, pasi Italia dhe Shqipëria janë dy anë të së njëjtës medalje. Projekti i pemëve në Tiranë është një projekt që ka avancuar shumë. Unë kam vizituar shumë vende të Evropës dhe besoj se është sot projekti më ambicioz, sa i përket numrit të pemëve të mbjella në gjithë Evropën. Forca! Shikoj se ky qytet po rritet me ritme shumë të shpejta”, theksoi Nardella.

Pjesë e diskutimit mes kryebashkiakut Veliaj dhe Nardellës ishte edhe mundësia për të hapur një shkollë të modës në Tiranë, e cila do të nxisë më tej edhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve sidomos në fushën e tekstilit.

 

Më Shumë