Politike

Veliaj kërkon Rinasin dhe një ligj të veçantë për Tiranën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi nga Kuvendi miratimin e një ligji të veçantë për kryeqytetin dhe nënkuptoi se mund të shqyrtojë në të ardhmen një taksë për të gjithë qytetarët që vizitojnë, apo ndalojnë në Tiranë për shërbime në institucione të ndryshme qendrore dhe vendore.

"Është shumë e rëndësishme që për kryeqytetin të kemi ligj të veçantë, sikurse është Roma. Shërbimet që ofron Tirana si kryeseli e Qeverisë, e gjykatave, e të gjithë institucioneve qendrore ka një kosto e cila nuk llogaritet dot për banorë, por për përdorues”, deklaroi ai para Komisionit të Ligjeve këtë të mërkurë.

Pasi mburri reformën administrativo-territoriale, kryebashkiaku i Tiranës tha se ka nevojë për korrigjime. Pjesë të korrigjimit, Veliaj kërkon zgjerimin e territorit të Bashkisë së Tiranës duke përfshirë edhe Rinasin dhe gjithë rrugën që lidh Tiranën me aeroportin. Për këtë ai tha se ka biseduar me Kryeministrin Edi Rama dhe nënkuptoi se shpejt ky ndryshim mund të paraqitet në Kuvend për miratim.

“Duhet të ketë një rishikim të kufijve. Do t’ju sjell një shembull konkret me të cilën kam bërë një dakordësi me Kryeministrin të qeverisë dhe do të doja që kur të vijë këtu të jeni të përgatitur. Nuk mundet Aeroporti Kombëtar i Shqipërisë të vashdojë të jetë në Fushë-Krujë dhe nuk mundet rruga lidhëse të jetë në Vorë”, deklaroi ai.

Veliaj thotë se për Bashkitë e Vorës dhe të Krujës aeroporti dhe rrugët lidhëse të tij nuk janë në qendër të vëmendjes.

“Vetëm segmenti Qafë-Kasharit, ku mbaron kufiri i Tiranës deri tek rrethrrotullimi i Rinasit ka 192 çarje të paligjshme në rrugë. Për Bashkinë e Vorës, nuk ka rëndësi fare kush është kryetar bashkie, për Bashkinë e Krujës, nuk ka fare kush është kryetar bashkie, Rinasi është në periferi të vëmendjes”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se kjo e ka penguar bashkinë që ai drejton që të investojë në këtë zonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë