Lajme

Veliaj: Kemi tregje me standarte, trotuaret janë për të ecur

Nën moton “Ju mund”, dhjetëra nxënës të shkollave të ndryshme të kryeqytetit u bënë pjesë e konkursit për idenë më të mirë në ndërgjegjësimin e të rinjve për diferencimin e mbetjeve dhe riciklimin e tyre. Punët e tyre u paraqitën në një aktivitet në Parkun Rinia, ku kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kultura për të mbajtur një qytet pastër fillon që nga bankat e shkollës.

“Ka disa të rritur që çfarëdo që të bësh thonë: ‘Hip se të vrava, zbrit se të vrava’. Ama, të gjithë e dimë se siç kemi rregulla në shtëpitë tona, ka rregulla edhe në qytet. Pra, trotuaret janë për të ecur, tregjet janë për të shitur; plehrat janë për t’u hedhur në kosh, semafori është për të respektuar qarkullimin, hapësira publike është për t’u shijuar nga të gjithë dhe korsia e biçikletave është vetëm për dyrrotakët”, tha Veliaj

Më pas, kryebashkiaku i Tiranës dhe Administratori i Eco Tirana, Diego Testi shpërndanë çmimet fituese për shkollat e kryeqytetit, të cilat kishin paraqitur idenë dhe punimet më të mira. Edicioni i dytë “Ju mund” u shtri në të gjitha shkollat e qytetit, për t’i lejuar nxënësve të grupmoshave të ndryshme të shprehnin idetë e tyre për mbajtjen pastër të ambientit dhe kategorizimit të mbeturinave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë