Lajme

Veliaj, apel opozitës: Bëhuni me zjarrfikësit, jo zjarrvënësit!

Kryebashkiaku Erjon Veliaj gjatë prezantimit të projektit “Luaj Tirana” në zonën periferike të Dajtit, ku është inauguruar edhe një kënd rekreativ për fëmijët, ka reaguar edhe ndaj akuzave të opozitës për zjarret në dy çerdhet e kryeqytetit.

 Veliaj i ka bërë thirrje opozitës që të jetë në anën e zjarrfikësve dhe ajo atyre që vendosin qëllimisht zjarre në këto ambiente. Kryebashkiaku tha se zjarret ishin të qëllimshëm, por pavarësisht qëllimit të autorëve, e rëndësishme është mbrojtja e punëve publike dhe mbështetja për zjarrfikësit. 

“Ka edhe nga ata, që shyqyr Zotit janë pakica, të cilët thonë ku të gjejmë arsye për të bërë sherr, ku ta gjejmë një zjarr që ka vënë dikush që të themi poshtë qeveria, poshtë bashkia! Kjo nuk është normale! Qyteti duhet të ecë përpara dhe nëse një vandal i vë zjarrin një çerdheje, një kopshti, një këndi lojërash apo një kazani plehrash, minimumi që duhet të bëjmë është të jemi të gjithë bashkë për të ruajtur pronën publike, për t’i dhënë kurajo zjarrfikësve, që i fikin zjarret në pak sekonda, për t’i dhënë kurajo policisë, e cila duhet të gjejë kush janë këta që terrorizojnë qytetin me zjarr. Unë nuk besoj kurrë se opozita ka dorë, por sigurisht ndihem keq kur opozita bëhet me zjarrvënësit, jo me zjarrfikësit. Kjo është për të ardhur keq.

Kemi shtuar rojet e Policisë Bashkiake, si dhe rojet e kontraktuara në çerdhe, kopshte e shkolla këtë vit. Do të shtojmë po ashtu pajisjet me kamera, sistemet e alarmit. I kemi trajnuar anëtarët e stafit në të gjitha çerdhet, kopshtet e shkollat për çdo situatë me zjarret, ndaj i bëj thirrje opozitës, bëhu me njerëzit e punës, bëhu me njerëzit e mirë, bëhu me qytetarët, mos hap panik, mos u bëj me rrugaçët, me vandalët, mos inkurajo zjarrvënien, inkurajo zjarrfikësit, ata që shërbejnë, ata që punojnë, ata që e duan qytetin”, u shpreh Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë