Lajme

Veliaj, apel banorëve të “Astirit”: Mos bëni hesapet e Lulit!

Familjet e Unazës së Madhe kanë filluar bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar për t’u zhvendosur në banesat sociale në Shkozë apo për të përfituar shpronësimin ose bonusin e qirasë për tre vite.

Nga Asambleja e Forumit të Gruas Socialiste të Tiranës, Veliaj theksoi se sot disa prej familjeve të Unazës u strehuan në banesa sociale.

“Falë zonjave dhe zonjushave të të gjitha dikastereve, protesta ndoshta më e dhunshme, më vulgare, me parti politike që shtyjnë vetëm sherr, mllef, kapsolla, sot u arrit që të bëhej një progres që nuk ishte bërë në kaq ditë. Nga 50 familje që kishin aplikuar në ARRSH sot u administruan 70 dosje. Gratë dhe zonjat e këtij qyteti zgjidhën në 3 orë 1/3 e problematikës më të madhe. E njëjta gjë për skuadrën e Bashkisë, nga 59 dosje të atyre që s’kanë asnjë letër sot, kopsitën dosjet e tyre 23 familje, thuajse gjysma. Në 3 orë gratë e këtij qyteti i dhanë dum dhe çuan përpara për zgjidhje një nga problematikat dhe dramat më banale që mund të kemi parë në kohët e fundit”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje banorëve të zonës së Unazës së Madhe që të mos bien pre dhe të përdoren politikisht nga opozita. Veliaj nënvizoi se banorët e Astirit që preken nga ndërtimi i Unazës së Re nuk duhet të bëjnë hesapet e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

“Ju falënderoj me gjithë zemër, nënat, amvisat, gratë, zonjat e shtëpisë në të gjithë zonën e Astirit dhe Unazës së Re se arritën të kuptonin që fëmijët e tyre nuk mund të jenë mish për top për parti, krerët e të cilave i kanë rregulluar punët e tyre, një shtëpi në Tiranë, një shtëpi në Laknas, një shtëpi në Holandë. Ata i kanë rregulluar punët e tyre. Thirrja ime për banorët është: mos bëni hesapet e Lulit, ai i ka rregulluar punët e veta, bëni hesapet tuaja, t’u dalë mirë llogaria juve; nëse u takon prona, të merrni paratë, nëse keni nevojë për asistencë, të merrni një shtëpi, nëse doni qira, u japim qira, por vetëm bëni llogarinë e fëmijëve dhe të familjeve tuaja, jo të politikanëve që i kanë rregulluar punët e tyre”, tha ai, teksa listoi edhe një sërë programesh të ndryshme sociale që Bashkia e Tiranës ua ofron të gjithë banorëve të cilët preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe. “Për atë që ka pronë, të paguhet çfarë i takon, për atë që s’ka asnjë letër, të marrë ndihmë sociale, për atë që ndoshta nuk e do ndihmën sociale, do të marrë një bonus qiraje”, tha Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë