Futboll

Vedat Muriqi po shkëlqen në Spanjë, ‘Piratin’ e Kosovës e kërkon Sevilja

Gazeta Si – Sezoni aktual po shkon si jo më mirë për Vedat Muriqin, sulmuesin e Kosovës. Ai është shndërruar në një pikë referimi për Majorkën, falë 10 golave të shënuar deri në këtë pikë të sezonit.

Duket i rilindur Muriqi në La Liga, e kundërta e lojtarit që pamë te Lacio. Dhe kjo paraqitje e mirë e ka vënë atë në qendër të vëmendjes edhe sa i takon merkatos së verës, që po afron. Klube më të mëdha se Majorka po e monitorojnë me kujdes situatën e futbollistit kosovar.

Vedat Muriqi, sulmuesi kosovar i Majorkes. Gazeta Si, 4 mars 2023

Sipas shtypit spanjoll, së fundi është Sevilja, një nga skuadrat më të njohura të La Ligës, por edhe në kompeticionet europiane, që duket se po interesohet seriozisht për sulmuesin shtatlartë. Futbolli që luhet në Spanjë duket se i shkon më shumë për shtat Muriqit dhe në verë ai pritet të ndërrojë skuadër.

Përveç Spanjës, Vedat Muriqi ka luajtur në kampionatin turk, ku kulmin e arriti me Fenerbahçen. Nga atye e bleu Igli Tare te Lacio, por në asnjë moment lojtari nuk arriti të linte shenjë me këtë skuadër. Pas kalimit në Spanjë, ‘Pirati’, siç e quajnë aty, ka rigjetur veten dhe po shkëlqen te Majorka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë