Lajme

Vdiq në paraburgimin e Korçës, ekspertiza: Mbi 27 vjeçarin nuk është ushtruar dhunë

Publikohen rezultatet e para të ekspertizës mjeko-ligjore të 27 vjeçarit Enea Ftoj, i cili ndërroi jetë në paraburgimin e Korçës më 17 maj, tre ditë pas arrestimit të tij në flagrancë pasi akuzohej për vjedhje me dhunë, ku thuhet se në trupin e të riut nuk është konstatuar dhunë fizike.

Pritet të kryhen dhe dy ekzaminime të tjera për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 27 vjeçarit.

Familjarët e viktimës akuzojnë punonjësit e policisë se kanë ushtruar dhunë, që në momentin e arrestimit në flagrancë. Familjarët deklarojnë se policia për të mbuluar ushtrimin e dhunës ndaj 27 vjecarit, nuk i kishte njoftuar se ai kishtë ndërruar jetë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar për ngjarjen në paraburgimin e Korçës, pasi realizuan një mision verifikimi.

KSHH konstatoi se Enea Ftoj i ishte nënshtruar një vizite mjekësore, pasi ishtë përdorues droge dhe për ta qetësuar i i ishte dhënë medikamenti “diazepam” me injeksion dhe tabletë.  Ditën që i riu ndërroi jetë, vëzhguesit e KShH vunë re mospërputhje mes Regjistrit të Dorëzimit të Shërbimit dhe shkresës përcjellëse drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë. Në Regjistrin e Dorëzimit të Shërbimit, më 17 maj, nga ora 6:00 deri në 7:45 (të mëngjesit) rezulton se kur ishte bërë ndërrimi i turneve, gjendja e të gjithë të ndaluarve dhe arrestuarve paraqitej normale dhe pa probleme, ndërsa në shkresën drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë nga ky Komisariat është bërë me dije se shtetasi Enea Ftoi ka ndërruar jetë në orën 07:30 të datës 17 maj 2018.

Në lidhje me autopsinë, KSHH konstatoi se “nuk mundën të merrnin takim me prokurorin me argumentin se çështja ishte në hetim, ndërsa mjeku ligjor nuk mund të jepte informacion për rezultatet e autopsisë dhe nëse kishte përfunduar, pasi konsiderohej informacion si sekret hetimor, ndërsa spitali i Korçës deklaroi se rezultati i autopsisë del pas 21 ditëve”.

KSHH i sugjeroi organeve të procedimit penal për të verifikuar të gjitha pretendimet e familjarëve si dhe shkakun e mosnjoftimit të tyre pwr vdekjen e Enea Ftojt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë