Lajme

Vdesin 4 pacientë me Covid në Kosovë, dyshohet se nuk punonin respiratorët

Pas mesnatës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë ndërruar jetë edhe katër pacientë të infektuar me COVID-19.  “Të gjitha viktimat kishin edhe sëmundje shoqëruese dhe janë mbi moshën 60 vjeçare”, ka thënë një zyrtar i QKUK-së.

Por sot në këtë klinikë përveç numrit të madh të policëve, janë parë edhe përfaqësues të Mjekësisë Ligjore dhe prokurorisë, pasi dyshohet se katër personat kanë vdekur pasi nuk punonin respiratorët.

Vajza e njërit prej viktimave në një prononcim për Express ka ngritur dyshime se babai i saj ka vdekur si pasojë e oksigjenit. “Baba jem ka vdekur prej oksigjenit. Unë po dyshoj se gazin nuk e kanë pas si duhet, mbikëqyrja nuk ka qenë si duhet. Ne që kemi qenë familjar ia kemi bërë më shumë hyzmetin. Përgjegjësi të madhe nuk ka pasur askush…. Mbrëmë në orë 03:00 na ka thirr vëllai se ka vdekur baba. Unë iu kisha lut mjekëve që le ta marrin pak më seriozisht këtë punë, se e dimë që është kohë pandemie, por lë të marrin më seriozisht e jo veç me ju dhanë qetësues, sepse atyre nuk  ua përballon zemra”, ka thënë ajo.

https://www.facebook.com/GazetaExpress/videos/372276233733894/

Ministri i atëhershëm i shëndetësisë, Arben Vitia, është akuzuar nga shtypi kosovar se ka blerë respiratorë kinez. Sipas burimeve të Gazeta Blic, në tenderin emergjentë të Pandemisë të hapur nga kjo Ministri për ventilatorë, (respirator) janë anashkaluar distributorët e autorizuar për Ventilator në Kosovë, që ofrojnë produkte mjekësore, (Ventilator) nga prodhuesit me renome botërore të EU dhe SHBA.

Deri më tani janë të konfirmuar 66 viktima nga COVID-19 në Kosovë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë të shtunës ka regjistruar 178 raste të reja me koronavirus –shifra më e lartë e infektimeve ditore, që prej paraqitjes së rasteve të para në mars të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë