Njerez

Vdes Mirjana Markoviç, gruaja pas “Kasapit të Ballkanit”

Mirjana Markoviç, e veja e ish-presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, vdiq të dielën në një spital në Moskë, ku i ishte siguruar azil politik.

Ajo njihet si "frymëzuesja" e shumë prej masakrave të bashkëshortit të saj dhe ishte përkrahësja më e madhe e Millosheviçit, të ashtuquajturit "Kasap i Ballkanit", tek e udhëhiqte vendin në luftëra katastrofike në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë.

Disa e shihnin Markovicin si njeriun e dytë më të pushtetshëm në Beograd; e ndodhur gjithnjë pas fronit të këshilltarit kryesor të burrit të saj. Në vitin 1994, ajo ngriti partinë e saj, të Majtën e Bashkuar Jugosllave, e cila qeveriste në koalicion me partinë e Millosheviçit. Udhëheqësi aktual i Partisë Socialiste, Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, shprehu ngushëllimet për vdekjen e saj.

"Ne nuk mund të kemi të njëjtat mendime në të gjitha kohët, por gjithmonë e respektoja atë, si gruaja e Sllobodan Millosheviçit", tha Daçiç për mediat serbe.

Mirjana Markoviç dhe Sllobodan Millosheviç

Megjithatë për shumë të tjerë, vdekja e saj solli kujtimet e masakrave të diktatorit serb ndaj boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

"Ajo ishte një pjesë integrale e regjimit vrasës të ish-Jugosllavisë, dhe si shumë të tjerë, ajo gjithashtu iku nga drejtësia, duke jetuar ditët e saj e saj të fundit në mërgim në Rusi", shkruan analisti politik Jasmin Mujanoviç në Twitter.

Markoviç u largua nga Serbia në vitin 2003 pasi Millosheviçi ishte dërguar në Hagë për t'u gjykuar për krime lufte, pasi iu dha azil politik nga Moska. Djali i saj Marko dhe vajza Maria vazhdojnë të jenë të kërkuar në Serbi për krime që variojnë nga korrupsioni, shpërdorimi i detyrës, tek posedimi ilegal i armëve. Besohet se ata kanë fshehur dhjetëra miliona euro në llogari off-shore.

Markoviç është akuzuar se ishte prapa vrasjes së gazetarit të shquar Slavko Curuvija në Beograd në prill 1999, një nga vrasjet më të famshme të kohës së Millosheviçit.

Markoviç njihet si një ultranacionaliste që e mbështeste bashkëshortin e saj në të gjitha krimet dhe çmenduritë e sundimit të tij.
Ajo shpesh është shprehur se ka qenë vetë ajo që i kërkonte bashkëshortit të saj “mbrojtjen e serbëve në Kosovë” dhe justifikonte çdo dhunë apo masakër ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Po ashtu, ajo dyshohet se ka përgatitur rrëmbimin dhe vrasjen e një prej rivaleve më të ashpër politikë, ish-presidentit serb, Ivan Stamboliç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë