Njerez

Vdes fizikani që shiti medaljen e Nobelit për të paguar faturat e spitalit

Leon Lederman e fitoi Nobelin e Fizikës për punën e tij me grimcat subatomike.

Fizikani eksperimental i cili fitoi Nobelin për punën e tij revolucionare mbi thërrmijat  subatomike, është ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare. Leon Lederman shpiku frazën “Thërrmija e Zotit”, një përshkrim i shkurtër i thërrmijave atëherë teorike, Higgs boson,  në titullin e librit të vitit 1993. Zbulimet e tij kanë rezultuar thelbësore në identifikimin e thërrmijave subatomike.  Më 1988 atij iu akordua Nobeli i Fizikës për pjesën e tij në zbulimin e një tjetër thërrmije subatomike, muon neutrino.

Shkencëtari amerikan më pas e nxori medaljen e artë të Nobelit në  shitje për 765 mijë dollarë, për të paguar faturat pasi ishte diagnostikuar me demencë. Ai vdiq në një klinikë përkujdesjeje  në qytetin Rexburg, të Idahos, më 3 tetor, ka thënë bashkëshortja e tij Ellen Carr Lederman. “Ajo çka donte më shumë ishin njerëzit, përpiqej t’i edukonte dhe t’i ndihmonte të kuptonin se çfarë po bënin në shkencë, ka thënë ajo.  Dr Lederman shihej si një gjigant në fushën e tij dhe kishte gjithashtu pasion për ta ndarë shkencën me të tjerët. “Ai ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në kuptimin e forcave bazike dhe thërrmijave të natyrës”,  ka thënë Michael Turner, profesor në  Universitetin e  Çikagos. “Ai ishte gjithashtu një lider shumë përpara kohës së tij në edukimin shkencor, shërbeu si ambasador për shkencën në të gjithë botën dhe transferoi përfitime të kërkimit bazik për të mirën kombëtare.” Dr. Lederman drejtoi Laboratorin  Kombëtar Akselerator “Fermi”,   nga 1978 deri më 1989-ën.  

Dr. Lederman ishte diplomuar ë Kimi në City College të Nju Jorkut  më 1943-shin, përpara se të shërbente tre vjet në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 1951-shin ai përfundoi doktoraturën në fizikën e grimcave në Universitetin e Columbia-s, ku nisi të bëjë zbulime lidhur me grimcat subatomike. “Leon Lederman siguroi vizionin shkencor që i lejoi Fermilab të qëndronte në avangardë të teknologjisë për më shumë se 40 vjet” ka thënë Nigel Lockyer, drejtori aktual i këtij laboratori. Znj. Lederman ka thënë se i shoqi shpesh punonte edhe kur ishte me pushime në Idaho, ku kishte blerë një fermë  me paratë e çmimit Nobel. Por shijonte skitë dhe kalërimin. “Unë duhet të mësoja skitë, ai të kalëronte,” ka rrëfyer e shoqja.

Dr Lederman ishte i dyti laureat në jetë që shiste një medalje ari të Nobelit. Pas ankandit, më 2015-ën, e shoqja tha se ai e kishte shijuar çmimin, por “ndjeu se ishte koha që dikush tjetër që ndante të njëjtën dashuri për shkencën ta ruante medaljen e tij.” Ai shpresonte se kjo shitje të rriste ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së fizikës”, shton e veja e fizikanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë