Art dhe Kulture

Vdekja e Zeffirelli-t, kinemaja vajton mjeshtrin italian

Në karrierën e shtrirë prej më se 60 vitesh, Franco Zeffirelli ishte jashtëzakonisht pjellor dhe i kremtuar njëlloj si regjisor filmash, teatri dhe opere. Disa  nga produksionet e tij skenike u bënë suksese në ekran, veçanërisht versioni i “Romeo dhe Zhuljeta”, ku interpretonte një Judy Dench e re, në teatrin “Old Vic” në Londër, duke u bërë sukses në arkëtime dhe fitues i një çmimi “Oscar”, në fund të viteve ’60.  Filmi shihej nga breza nxënësish,  që studionin dramën shekspiriane.

Regjisori italian u nda nga jeta në moshën 96- vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë që ishte përkeqësuar muajve të fundit.  Shekspiri frymëzoi të tjerë filma të suksesshëm për Zeffirelli-n: Zbutja e Kryeneçes me Elizabeth Taylor dhe Richard Burton, Hamleti me Mel Gibson dhe Glenn Close dhe një film për “Otello”-n e Verdit me Plácido Domingo. Produksionet e tij  luksoze të operas sollën performanca sensacionale nga Joan Sutherland dhe Maria Callas;  25 vjet pas vdekjes së kësaj të fundit, ai realizoi filmin biografik “Callas Forever”, ku interpreton Fanny Ardant. Operat e filmuara prej tij arrinin audienca të mëdha televizive dhe ai kremtohej si një popullarizues i madh.

Zeffirelli me Elizabeth Taylor dhe Richard Burton në sheshxhirimine "Zbutja e Kryeneçes"
Taylor si Katerina, tek "Zbutja e Kryeneçes"

Zeffirelli besonte se e kishte trashëguar pasionin për muzikën nga i gjyshi, dirigjent. Ai u lind më 12 shkurt, 1923 dhe u rrit në Firence, i biri i jashtëligjshëm i një stilisteje mode, Alaide Garosi Cipriani dhe një tregtari leshi Ottorino Corsi, të dy të martuar me të tjerë njerëz.  Mbiemrin ia vuri e ëma, pas një vargu rreth zeffiretti (fllade) në një arie të Mozartit.  Mbiemri u shkrua keq në certifikatën e tij të lindjes, duke u shndërruar në Zeffirelli. Si në një lloj profecie vetëpërmbushëse, ai nuk iu nda muzikës klasike dhe operas, duke vënë në skenë më shumë se 120 të tilla, gjatë karrierës.

La Traviata e vënë në skenë nga Zeffirelli

Cipriani, karriera e së cilës u dëmtua pas skandalit, vdiq kur i biri ishte vetëm gjashtë vjeç dhe atë e mori në kujdestari tezja. Pasioni për teatrin iu ndez që fëmijë, gjatë pushimeve në Toskanë ku pa performancat e disa aktorëve shëtitës. “Nuk kam besuar kurrgjë në teatër aq shumë sa fantazitë që na prunë ata rrëfimtarë”, shkruante në autobiografinë e tij. Ndoqi një shkollë katolike në Firence, ku do të thoshte se ishte ngacmuar seksualisht nga një prift. Kur nisi Lufta e Dytë Botërore, iu bashkua përpjekjeve partizane, dy herë i shpëtoi vdekjes nga skuadrat pushkatare dhe u bë përkthyes për Rojat Skoceze.

Duke zgjedhur kostumet në La Scala
Zeffirelli në teatrin "La Scala", të Milanos

Në vitet e pas luftës i la planet për t’u bërë arkitekt dhe nisi karrierën si aktor në produksione radiofonike, përfshi edhe një rol me Anna Magnani-n në  “L’Onorevole Angelina”.  Shumë vite më pas, ai do të ishte regjisor në rikthimin e Magnani-t në skenë, në spektaklin jetëgjatë “La Lupa”.  Zeffirelli ia njihte meritat Luchino Visconti-t, si njeriu që i ndryshoi jetën. Visconti e zgjodhi për një rol të vogël në përshtatjen skenike të “Krim e Ndëshkim” në Romë, më pas e bëri asistent regjisor në klasikun e tij neorealist të 1948-s, “La Terra Trema”, filmuar në Sicili me aktorë jo profesionistë. Zeffirelli më pas asistoi Salvador Dalí-në në skenografitë  për “Siç ju pëlqen”, me regji të Visconti-t. Detyra e tij e parë, kujtonte ai, ishte të bindte Dalí-në që të përdorte dhi pelushi në vend të të vërtetave,  në produksionet skenike.

Në mes të viteve ’50, Zeffirelli ishte regjisor i Callas  për herë të parë, me kërkesë të saj në “Il Turco” të Rossini-t, shfaqur në Itali. Ai vijoi si regjisor i saj në një seri spektakolare operash përfshi “La Traviata”,  në Dallas më  1958, që theu traditën duke e hapur me personazhin që vdiste e më pas duke e zbuluar fillin  në copëza kujtese. Ai bëri regjinë e “Norma” të Bellini-t në Paris më 1964-n, me skenografinë e tij dhe rolin e fundit operistik të Callas, “Tosca” në  Covent Garden,   më 1965.

Me sopranon Maria Callas në Covent Garden

Sopranoja tjetër me të cilën  Zeffirelli gëzoi një bashkëpunim jetëgjatë ishte Sutherland, karriera e së cilës shpërtheu në famë,  pasi ai e drejtoi në versionin e përgjakshëm të Lammemoor-it, drejtuar nga Tullio Serafin, në Operan Mbretërore të Londrës, më  1959.Më vonë atë vit, sërish në Operan Mbretërore, Zeffirelli vuri në skenë operat e shkurtra “Cavalleria Rusticana” dhe “Pagliacci”, duke u dhënë të dyjave një origjinalitet të realizuar nga skenografia me sfond sicilian. Këto e çuan tek teatri “Old Vic”,  që i kërkoi të vinte në skenë "Romeo dhe Zhuljeta", me një sfond të ngjashëm realist italian.

Zeffirelli dhe qeni i tij asistent.

Megjithëse në ankth,  të vinte në skenë Shekspirin në anglisht dhe në Angli, Zeffirelli propozoi një produksion rinor të tragjedisë, me Dench dhe John Stride.  U shpërfill nga shumë kritikë,  por u lëvdua nga Kenneth Tynan, i “Observer “, i cili shkroi se Zeffirelli “iu qas Shekspirit me sy të freskët, mendjemprehtësi të shkathët dhe pa paragjykime stilistike; dhe çfarë propozoi ishte një mrekulli...Regjisori ka marrë rrjedhën e thjeshtë dhe befasuese të trajtimit të personazheve,  sikur të ishin njerëz të vërtetë në situatë të vërtetë.”

Me Whiting dhe Hussey, në filmin "Romeo dhe Zhuljeta"

Versioni filmik i “Romeo dhe Zhuljeta” nga Zeffirelli ishte gjithashtu një frymëmarrje me ajër të freskët. Me interpretimin e adoleshentëve Leonard Whiting dhe Olivia Hussey, u xhirua pjesërisht në natyrë dhe pati një ndjesi origjinaliteti,  duke mbërritur lehtë tek audiencat e reja. Filmi e ndihmoi Zeffirelli-n të bëhej i pasur. Për shumë vite, pretendonte ai, mbahej me pagesa si regjisor i lirë dhe plotësonte të ardhurat duke shitur një seri vizatimesh të Mattiesse, që ia kishte dhuruar Coco Chanel. Në kohën ndërmjet versionit teatror dhe filmit të Romeos ai vuri në skenë me stil sicilian “Shumë zhurmë për asgjë” në  teatrin “Old Vic” me Maggie Smith, Robert Stephens  dhe Albert Finney dhe xhiroi “Zbutja e Kryeneçes”, me pushtetin e konsoliduar  të yjeve si Taylor dhe Burton. Çifti e financoi pjesërisht filmin, që u xhirua në studiot e Dino De Laurentiis-it, në Romë.

Me Cher në "Çaj me Musolinin"

Me Lily Tomlin dhe Judy Dench, në premierën e "Një çaj me Musolinin"

Zeffirelli u mësua me kalimin nga një projekt i madh tek tjetri, duke zhongluar me  teatrin, televizionin dhe produksionet operistike. Më 1976-ën,  vuri në skenë “Otello”-n në La Scala me Domingon; një vit më vonë filmin e tij epik televiziv “Jezusi i Nazaretit”, me Robert Powell si Krishti, Ian McShane si Judë Iskarioti dhe Anne Bancroft si Marie Magdalena, që u transmetua për një audiencë masive. Më 1978-n, po përgatitej për një rivënie të dramës sentimentale “Kampioni”, ku interpretonte Jon Voight dhe  Faye Dunaway dhe u bë sukses në arkëtime.

Me Robert Powell, në filmin "Jezusi i Nazaretit"

Të tjerë projekte filmike përfshinin romancën e 1981-shit “Dashuri e pafund”, ku interpretonte Brooke Shields, që u shfaq me një editim që e mërziti Zeffirelli-n, një biografi e 1988-s për dirigjentin Arturo Toscanini dhe një përshtatje më  1996 –n e Xhejn Ejr, me rolin kryesor të ndarë mes Anna Paquin dhe  Charlotte Gainsbourg. Filmi gjysmë-autobiografik “Çaj me Musolinin” më 1999-n ku interpreton Smith, Dench  dhe Joan Plowright, u shkrua nga Zeffirelli dhe John Mortimer. Filmi rrëfente historinë e Luca-s, i biri i një rrobaqepëseje në Firence, që ashtu si Zeffirrelli, rritet duket luajtur me një teatër lodër dhe ka takime me partizanë dhe roja skoceze, gjatë Luftës së  Dytë Botërore. Dy herë kandidati për Oscar, më 1994-n u bë anëtar i senatit italian, duke përfaqësuar partinë e Berlusconi-t “Forza Italia”, për shtatë vjet. Ai u shpall Kalorës i Perandorisë Britanike më 2004-n.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë