Lajme

Vdekja e shqiptarit në Francë, nëna: U dhunua, shteti të zbardhë të vërtetën

Një 36-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një burg të Francës. Lajmin e ka konfirmuar familja e tij që ka hapaur dyert e mortit në Shkodër edhe pse nuk e kanë ende trupin e djalit.

Mentor Rexha humbi jetën në burg, por familja e tij nuk e pranon se është vetëvrarë. Nëna e tij pretendon se djali është dhunuar në burg dhe këtë e bazon në fotot që kanë parë, ku duket se në trupin e tij ka shenja dhune.  

Nëna e të riut 36 vjeçar, Rukine Rexha i bën thirrje shtetit shqiptar që ta zbardhë ngjarjen.

“Lajmin e kemi marrë nga shokët e tij që na kanë treguar sepse askush tjetër nuk na ka lajmëruar për vdekjen e djalit. Djali kishte një vit që ishte në Francë dhe 6 muaj kishte në burg se akuzohej për djegien e disa makinave. Ka qenë duke folur me vëllain në telefon kur e kanë arrestuar. Gjatë kohës që kemi folur në telefon nuk na ka shprehur shqetësime dhe ne jemi të bindur se nuk ka kryer vetëvrasje. Kërkojmë që të hetohet sepse në trup ka shenja dhune. I bëj thirrje shtetit të më kthejnë trupin e djalit dhe të zbardhet ngjarja”, është shprehur ajo.

Edhe djali i xhaxhait, Selaudin Rexha thotë se ai nuk është vetëvrarë dhe thekson se ambasada shqiptare në Francë nuk i ka ndihmuar.

“Ambasada shqiptare në Francë nuk na është përgjigjur, por na është shprehur në mënyrë absurde kur i kemi kërkuar ndihmë dhe të gjitha veprimet janë duke i kryer vëllai i viktimës me të motrën e tij. Akuzat ndaj kushëririt tim janë të pavërteta. Ky është rasti i 5 i shqiptarëve që vriten në burg dhe dy janë nga Shkodra ndërkohë që shtetit hesht ndërkohë që po të ishin nga ndonjë shtet tjetër reagimi do ishte i madh”, thotë ai ndër të tjera.

Ndërkohë, ende nuk dihet zyrtarisht e vërteta e vdekjes së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë