Lajme

Vdekja e 5-vjeçarit, arrestohen 2 zyrtarë të Bashkisë Berat

Policia e Beratit ka vënë në pranga përgjegjësit e ngjarjes së rëndë që ndodhi mëngjesin e djeshëm në parkun e këtij qyteti, ku një fëmijë 5-vjeçar gjeti vdekjen duke luajtur me një pjesë të dekorit me drita të qytetit.

Policia thotë se janë vënë në pranga 2 drejtues të bashkisë Berat dhe ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për 4 punonjës.

Në prangat e policisë ka rënë Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Beratit, Polizoi Ikonomi dhe inxhinieri i kësaj drejtorie, Llazar Hoxholli. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”. Nën hetim, në gjendje të lirë janë edhe 4 punonjës të tjerë të kësaj drejtorie, me pozicionin elektricistë, emrat e të cilëve nuk janë bërë ende me dije.

Edhe mbi 4 elektricistët që po hetohen e procedohen në gjendje të lirë rëndon e njëjta akuzë, ajo e shpërdorimit të detyrës. Materialet në ngarkim të 6 shtetasve të sipërpërmendur janë përcjellë pranë Prokurorisë së Rrethit Berat.

5-vjeçari Aleksandër Brahimi, që njihej në qytet si lypës dhe vinte nga komuniteti rom, gjeti vdekjen mëngjesin e djeshëm në parkun e qytetit të Beratit.

Ai ishte duke luajtur në tunelin me drita, pjesë e dekorit të bashkisë për festat e fundvitit, kur ka rënë në kontakt me rrymën elektrike të disa telave të zhveshur të tunelit. Ai ka mbërritur në spital në gjendje të rëndë dhe mjekët nuk kanë arritur ta shpëtojnë.

Për këtë ngjarje tragjike, familjarët e fëmijës kanë akuzuar bashkinë për vdekjen e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë