Lajme

Vasili: 7 xhuxhat në qeverinë e re gajasën dynjanë

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili sërish ka komentuar ndryshimet që u bënë dje në kabinetin qeveritar.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Vasili shprehet se “7 xhuxhat e rinj në qeveri si teshtima dhe gromësima e Ramës? 7 xhuxhat e rinj në qeveri kanë një meritë të madhe se gajasën dynjanë me hiçgjënë, që përfaqësojnë. 7 xhuxhat janë thjesht teshtima dhe gromësima e radhës e Edi Rames. 7 xhuxhat e rinj të qeverisë kanë vlerë dhe mund të zgjasin aq sa zgjat një gromësimë”.
Gjithashtu, ai shkon më tej duke shtuar se as xhuxhat dhe as breshkat nuk i sjellin frymën Edi Ramës.
“Llogarinë e hapur Edi Rama e ka me shqiptarët dhe jo me 7 xhuxha, po as me 17, fatin nuk e tij e ndryshon dot, se qindra miliona eurot e grabitura nga ai kërkojnë shpagim që fillon nga burgu. As xhuxhat, as breshkat nuk ia sjellin dot frymën Edi Ramës, se sado që merr frymë nga lart, i del e gjitha nga poshtë se është çpuar krejt”, shkruan Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë