Futboll

VAR-i prish festën e fitores në ‘Fadil Vokrri’, Kosova pa fat ndaj Rumanisë

Gazeta Si – Nuk ishte e thënë që Kosova të festonte për fitoren e parë në Grupin I të kualifikueseve të Europianit 2024. ‘Dardanët’ e dominuan me raste ndeshjen në terrenin e rënduar të stadiumit ‘Fadik Vokrri’ për shkak të shirave, por nuk ia dolën për të mundur Rumaninë.

Ndeshja e luajtur në Prishtinë u mbyll me rezultatin 0-0 dhe ky ishte barazimi i tretë në tri ndeshje për skuadrën e trajnerit Alen Zhires, që tani mbase rrezikon vendin e punës.

Në minutën e 69-të Kosovës iu anulua një gol i shënuar nga Edon Zhegrova, i futur në fushë si zëvendësues. Lojtari i Lilës e dërgoi me kokë topin në rrjetë, por pas rishikimit të pamjeve në VAR rezultoi se Celina ishte në pozicion të parregullt.

Muriqi ne aksion gjate ndeshjes me Rumanine. Gazeta Si, 16 qershor 2023

‘Dardanët’ ngulmuan në minutat e mbetura për golin e fitores dhe Muriqi i kishte të gjitha mundësitë për të qenë ‘heroi’ i mbrëmjes. Zhegrova kaloi dy mbrojtës rumunë në zonë nga e djathta dhe pasoi për Muriqin e lirë, por ai gjuajti mbi tra. Një shans i artë i humbur nga sulmuesi shtatlartë.

Me 3 pikë në 3 ndeshjet e para, Kosova mban vendin e 4-t në grup, me llogari mjaft të komplikuara për një kualifikim të mundshëm. Grupi kryesohet nga Zvicra me 9 pikë, më pas vjen Rumania me 7 pikë dhe Izraeli me 4 pikë. Kosova lë pas vetëm Andorrën dhe Bjellorusinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë