Bota

Valë e re sulmesh ruse në Ukrainë, disa civilë të vrarë dhe të plagosur

Gazeta Si - Disa persona janë vrarë dhe plagosur këtë të martë, si pasojë e valës së re të sulmeve ruse me raketa në qytetet ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev.

Sistemet e alarmeve janë aktivizuar në gjithë territorin e Ukrainës. Në Kiev, të paktën një grua është vrarë dhe nëntë persona tjerë janë plagosur, ka thënë kryetari i kryeqytetit Vitali Klitschko në platformën Telegram.

Tri distrikte – Peçerks, Sviatoshinsk dhe Solomjansk – janë shënjestruar në sulm, ka thënë Klitschko.

Sipas tij, tetë persona janë shtruar në spital. Në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, raketat ruse Kh-22 kanë goditur shënjestra civile, ka thënë guvernatori rajonal Oleh Synyehubov, po ashtu, në Telegram.

“Si rezultat, 28 persona janë plagosur. Dy gra, 56 dhe 40 vjeçe, fatkeqësisht, janë vrarë”, ka thënë ai, duke publikuar pamje të ndërtesave krejtësisht të shkatërruara.

Raketat ruse kanë goditur edhe qytetin Pavlohrad, në rajonin jugor të Dnjipropetrovskut, duke e vrarë të paktën një person.

Në javët e fundit, Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa në shënjestrat civile në Ukrainë, duke shkaktuar një mori vdekjesh, plagosjesh dhe dëmesh materiale. Qyteti i Kharkivit është goditur në veçanti.

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit në qytetet ukrainase.

Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet ndaj aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë