Njerez

Vaksina erdhi, por a duan ta bëjnë qytetarët?

Dje nisi vaksinimi kundër Covid-19 në Shqipëri; çka sipas specialistëve të shëndetësisë pritet të shënojë një tjetër rrjedhë për pandemisë. Qysh prej fillimit të pandemisë në botë, u hodhën shumë aludime mbi vaksinën, aludime që vijojnë edhe sot. Po shqiptarët çfarë mendojnë për të? A janë ata të dyzuar, ta bëjnë apo jo vaksinën?
Në një vëzhgim të kryer nga Gazeta "Si" vihet re se njerëzit, të paktën në kryeqytet duken të stepur ndaj vaksinimit dhe kanë qasje të ndryshme.
"Unë për vete kam qenë shumë skeptike për vaksinën se kemi dëgjuar shumë fjalë rreth e rrotull, kam lexuar shumë teori dhe nuk dija se çfarë të besoja, por kur e bën mjekët dje u binda deri diku," i tha Gazetës "Si" një studente që kishte ardhur në Tiranë për të kërkuar shtëpi me qera.
Vajza 18-vjeçare tregoi gjithashtu se nuk është 100% e sigurtë pasi nuk ka shumë informacione për vaksinën që kemi marrë ne.

Në Tiranë, pavarësisht ardhjes së vaksinës, vijojnë masat mbrojtëse. Shumë qytetarë ecin me maska në rrugë dhe duken edhe më të kujdesshëm. Ndërkaq, ka edhe nga ata persona që janë të vendosur se nuk do ta bëjnë vaksinën. Një grup të rinjsh e të rejash që po konsumonin kafen në një kafene në fillim të sheshit "Skënderbej" i thanë Gazetës "Si" se as e kishin ndërmend të bënin vaksinën pasi u dukej shumë e çuditshme që vaksina u krijua kaq shpejt.
"Ne jemi brez që lexojmë, plus jemi më afër informacionit nga interneti. Unë personalisht kam lexuar se një vaksinë do shumë të krijohet, plus nuk ka të dhëna të qarta për vaksinën që po marrim veç se është efektive. Kështu nëse nuk më detyrojnë, s'do e bëj," tregon Ardi, një prej djemve të grupit.

Gjithashtu në një sondazh të shkurtër që Gazeta "Si" kreu në rrjetet sociale, ku pjesa më e madhe e pjesmarrësve ishin të rinj, rezultoi se kishin votuar më shumë "nuk besonin në vaksinën anti-Covid".
Në dukje të rinjtë janë më të stepur ndaj vaksinës, por ka dhe nga ata që besojnë shumë tek mjekët dhe duke qenë se ishin pikërisht mjekët që u vaksinuan të parët, nuk mendojnë se ka ndonjë "hile" në këtë vaksinë.
Në vëzhgimin në rrugët e kryeqytetit takuam edhe persona që besojnë në imunizimin natyral. Shabani, një burrë 45-vjeçar, i tha Gazetës "Si" se tashmë shumica e ka kaluar virusin kështu që vaksina edhe duhet, edhe s'duhet.


Ndërkaq personat me besueshmëri më të lartë ndaj vaksinimit duket se janë të moshuarit.
Një 65-vjeçar i ulur në stacionin e rrethrrotullimit të "21 Dhjetori" tha për Gazetën "Si" se ilaçet (siç i quan ai) nuk janë asnjëherë për kot.
"Doktorët nuk të japin një ilaç kot. Si do ta japin pa pasur asgjë?! Unë kam besim se ilaçi do na rregullojë të gjitha gjërat. Të heqim edhe këto maskat se nuk durohen gjithë kohës," tha ai.
Më tej ai shtoi se ishte shumë i gatshëm për të kryer vaksinën, madje sa më shpejt.
Informacioni mbi vaksinën nuk është i kompletuar, por megjithatë mjafton kaq për disa njerëz që të kërkojnë "shpëtim" nga të gjithë masat mbrojtëse.
Mes qytetarëve gjejmë mendime të shumëllojshme. Ka nga ata që as nuk e konsiderojnë vaksinën. Një tregtar ambulant përgjatë Rrugës së Durrësit rreth moshës 35 vjeç, i tha Gazetës "Si" se si me vaksinë, si pa vaksinë, njëlloj është.
"Mua s'më ka prekur virusi, as njerëzit e mi. Deri kur të vijë vaksina te ne, ka ikur fare virusi," shtoi ai duke qeshur.
Pak më tutje, një grup të moshuarish që thuajse të gjith ankohen edhe për sëmundje kronike, i thanë Gazetës "Si" se duhet ta bëjnë vaksinën sa më parë që të mos i shtohet një sëmundje tjetër më e rëndë.
"Ne jetojmë me frikë prej virusit e nuk dimë çfarë të bëjmë, të dalim apo të mos dalim. Në fund të fundit, ta bëjmë se nuk na ka mbetur gjë tjetër," tha një zonjë 69-vjeçare, e cila po shkonte të kryente pazaret për drekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë