Lajme

Ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes, arrestohet 54-vjeçari në Lezhë

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 54-vjeçar, pasi ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe e kërcënonte se do ta vriste.

Bëhet fjalë për shtetasin B. L, 54 vjeç, banues në Dragushë, Lezhë.

Siç thuhet në njoftimin e policisë, 54-vjeçari në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, në banesë, duke e kërcënuar se do ta vriste me armë zjarri, e cila mbrëmjen e djeshme ka njoftuar Policinë.

Gjatë kontrollit në shtëpi, policia i ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip “Pushkë” dhe 19 fishekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtja pa leje". Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, mbajtja e armëve në automjete, në banesë apo në mjedise publike, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim deri në 7 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë