Politike

Ushtria dhe Integrimi, të parat në axhendën e takimeve të ambasadores amerikane

Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka nisur sot valën e takimeve me përfaqësuesit politikë në vend, për të diskutuar për perspektivën europiane të vendit, por edhe reformat për sundimin e ligjit.

Fillimisht përfaqësuesja e re e Uashingtonit un takua me Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Sipas një njoftimi të ministrisë së jashtme, Cakaj dhe Kim diskutuan gjerësisht çështje që lidhen me angazhimin e Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE-në, kryesimin e OSBE-së dhe marrjen e ulëses jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022.

Gent Cakaj dhe Ambasadorja Yuri Kim, Gazeta Si, 2020

“Mirënjohës për mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për reformat e brendshme dhe forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë. SHBA-ja është partner i pazëvendësueshëm politik e strategjik për Shqipërinë!”, shkruan Cakaj në një postim në rrjetin social Facebook.

Më pas, Kim i ka shkuar në zyrë ministres së Mbrojtjes Olta Xhacka, të cilën e takonte për të dytën herë, pas një bashkëbisedimi në Pentagon, vitin e kaluar, kur Ambasadorja Kim ishte pjesë e stafit të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes.

“Është fat për ne, që SHBA përfaqësohen në Shqipëri me një zonjë të kalibrit të Ambasadores Kim dhe jam optimiste që falë punës e angazhimit të saj, bashkëpunimi e partneriteti mes departamenteve tona të mbrojtjes do të vijojë e do të fuqizohet akoma më shumë, duke ndihmuar në modernizimin e FA dhe duke i mundësuar Shqipërisë të japë një kontribut gjithmonë e më të madh për sigurinë, stabilitetin e paqen krah për krah aleatëve tanë amerikanë”, shkruan Xhacka në një postim në Facebook.

Olta Xhacka dhe Ambasadorja Yuri Kim, Gazeta Si, 2020

Pas marrjes së letrave kredenciale nga Presidenti Ilir Meta, ambasadorja e re e SHBA takoi edhe ambasadorin e delegacionit të BE në Shqipëri, duke u shprehur e gatshme të bashkëpunojë me të në këtë vit të cilin e konsideron si të rëndësishëm për perspektivën europiane të Shqipërisë.

“Mirëseardhje ambasadores së re të SHBA, Yuri Kim. Gati të nisim punën së bashku për të vijuar bashkëpunimin BE- SHBA në Shqipëri, në kontekstin e perspektivës europiane të vendit”, thotë Soreca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë