Muzike

Unum Festival – Shëngjini “ka me ja pa hajrin”

Shëngjini do të guxojë të zgjojë Europën nga narkoza e pandemisë. Prej këtij qyteti të vogël bregdetar në Veri, Shqipëria pret të bëhet ylli i këtij fillimi sezoni turistik. Aty do të organizohet “Unum Festival”, festivali ndërkombëtar i muzikës elektronike që zë vend tashmë prej 3 vitesh në vendin tonë dhe që do të nisë të enjten e 3 qershorit për të zgjatur deri më datë 7.

Unum do të jetë festivali i parë jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Europën pas një viti pandemik dhe do të mbahet në strehën e përhershme, Rana e Hedhun, Shëngjin, Lezhë.

Erjona Gjikolli, zëdhënëse e festivalit Unum kontaktuar nga gazeta “SI” u shpreh se ky vit doli jashtë pritshmërisë së të gjithëve. “Këtë vit kanë rezervuar shumë të huaj nga Zvicra, Franca, Gjermania dhe Anglia. Deri para pak ditësh janë shitur 7 mijë bileta dhe tani mund të jetë rritur akoma më shumë numri.”

Në një përshkrim të përgjithshëm se çfarë pritet të ndodhë, Gjikolli tregoi se janë të ftuar 75 emra të mëdhenj ndërkombëtarë të muzikës elektronike të cilët do të performojnë gjatë 5 ditëve dhe 4 netëve të festivalit. Brenda organizimit të Unum do të jetë edhe Dokufest, festivali i filmit, joga, body painting dhe veshje me logon e Unum që do të shiten aty.

“Ne do të mundësojmë transportin e pjesëmarrësve nga Kosova dhe Shqipëria me autobusë të vegjël për të shmangur rrëmujën e makinave private të cilat për këtë arsye nuk do të lejohen në Shëngjin. Gjithashtu, në një marrëveshje me kompaninë  e taksive Speed Taxi, njerëzit mund t’i përdorin për lehtësim”,- tregoi Erjona pë gazetën “SI”.

Ajo shtoi se vetë struktura e festivalit do të ofrojë 20 mijë shtretër për t’u akomoduar që janë tashmë sold out.

“Unum u bë i mundur me suportin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Turizmit, pa të cilët do të ishte shumë  e vështirë pas një viti me pandemi. Ka një protokoll të veçantë për të respektuar masat anti-Covid, ndërsa për të huajt do të respektohen rregullat e vendosura nga vetë shtetet përkatëse mbi lëvizjen nga një vend në tjetrin”,-tregoi zëdhënësja nga Unum.

Përveç hovit në sektorin e argëtimit apo të kulturës, ky festival me të ftuar dhe pjesëmarrës ndërkombëtarë ka dorë në zhvillimin e turizmit të vetë Shëngjinit.

Erjona tregon për Gazetën “Si” se më parë Shëngjini vizitohej pak nga kosovarët dhe qytetarët pranë qytetit të Lezhës, ndërkohë që nga viti 2019 në Shëngjin “flitet anglisht”, nga numri i shumtë i vizitorëve të huaj që u njohën tashmë me plazhin e artë të Ranës së Hedhun, siç i referohet Unum.

“Përfshirë edhe pjesën që në Unum do të jetë DokuFest-i i filmit të cilit ‘ja ka pa’ hajrin’ qyteti i Prizrenit në Kosovë për turistët që dërgon atje dhe sigurisht ‘ka me ja pa’ hajrin edhe Shëngjini’”,-u shpreh Erjona.

Duke mos përmendur asnjë shifër, ajo tha se kosto është marramendëse, vetëm të mendosh se sa njerëz me famë janë të ftuar, do të akomodohen e pastaj edhe pjesa teknike e strukturore e Unum. Por kostoja e kënaqësisë për pjesëmarrësit është vetëm 70 euro, për 5 ditë me radhë, tek festivali i parë në Europë pas 1 viti kufizimesh, aty në Ranë të Hedhun, Shëngjin, Lezhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë